Si do strehohen të dëmtuarit nga tërmeti. Zbulohet plani i qeverisë

AKTUALITET


Qeveria ka përcaktuar mënyrën se si do të rimëkëmben zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përmes një akti normativ, qeveria ka bërë kategorizimin e personave që përfitojnë nga fondi i rindërtimit dhe subjekteve që nuk do të marrin shpërblim pavarësisht dëmeve që kanë pasur.


Akti normativ përcakton mënyrën se si do të ndërtohen pallatet dhe banesat private të cilat u shpallën të pabanueshme dhe i hap rrugë blerjes së apartamenteve të pashitura në pallatet ekzistuese nëse kërkesa nga qytetarët do të jetë e lartë.

Qeveria nuk ka ende një numër përfundimtar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por ka përcaktuar përmes një akti normative rrugën që do të ndjekë për të rimëkëmbur zonat e prekura nga ajo fatkeqësi natyrore.

6 do të jenë kategoritë që sipas qeverisë do të përfitojnë nga projekti i rindërtimit, i cili tashmë do të drejtohet nga ministri i ri i shtetit, Arben Ahmetaj.

-Subjekte përfituese janë individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore.

-Institucionet publike që kanë pësuar dëme në ndërtesat apo infrastrukturën publike në pronësi.

-Tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilëve si pasojë e fatkeqësisë natyrore i është dëmtuar selia e tyre ose çdo vend i ushtrimit të aktivitetit tregtar.

Qeveria ka vendosur vijën e kuqe edhe për disa kategori që nuk do të përfitojnë nga fondi i rindërtimit.

–Nuk është subjekt përfitues individi ose familja që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm, më shumë se një banesë, në njësinë ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

-Në rast se të gjitha banesat në pronësi janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, individi ose familja përfiton vetëm për banesën që në datën e fatkeqësisë natyrore përdorej si  vendbanim.

-Nuk janë përfituese subjektet tregtare në fushën e ndërtimit për ndërtesat ose njësitë brenda një ndërtese në pronësi të tyre, që janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur dëmi ka ardhur si rrjedhojë e gabimeve në projektimin apo ndërtimin.

Por si do të veprojnë qytetarët që pas 26 nëntor morën vulën nga ekspertët se banesat e tyre janë të pabanueshme?

Në pikën 10 të nenit të 21 të aktit normative, qeveria i jep mundësi qytetarëve të banesave të shembura të ndërtojnë vetë ndërtesa në të njëjtin truall, përmes kontraktimit të një zhvilluesi privat, ndërkohë që financimi do të bëhet nga program i rindërtimit.

Nëse brenda një periudhe 3 mujore qytetari nuk ka mundur të gjejë një ndërtues për të ngritur objektin e shembur, zhvillimi i pronës do të bëhet nga autoriteti shtetëror ose donatorët.

Akti normativ i qeverisë përcakton edhe procedurën që do të ndiqet me banorët e pallateve që janë shpallur të pabanueshëm nga ekspertët.

Përmes financimit nga fondi i rindërtimit apo nga investimet e donatorëve, do të nis ndërtimi ose rikontruksioni i ndërtesave të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, në truallin ekzistues ku ato kanë ekzistuar deri në 26 nëntor.

Qeveria përcakton që banesat e reja që do të ndërtohen dhe që do t’i kalojnë përfituesve nuk duhet të jetë më e madhe se banesa     që qytetari kishte në pronësi në objektin e shembur.

Por krahas kësaj, qeveria në nenin 24 të i jep të drejtë Entit Kombëtar të Banesave të nis blerjen e banesave nga ndërtuesit në pallate ekzistuese të cilat sot janë të boshatisura.

Qeveria i ka vendosur si kusht Enti Kombëtar të Banesave që vlera e banesës në treg të jetë meë e ulët ose e barabartë me koston e ndërtimit.

Por në kushtet kur kërkesa e qytetarëve për banesa është i lartë, aq sa qeveria nuk ka mundësi të plotësojë kërkesat e tyre, atëherë Enti i Banesave mund të negociojë me ndërtuesit, edhe për banesa me një çmim më të lartë se vlera e ndërtimit./Abcnews




Skip to toolbar