Qeveria ka dhënë fondin e saj, stadiumi me standarde ndërkombëtare
Gjatë prezantimit të Safet Gjicit, si kandidatin e Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Kukësit, Kryeministri Edi Rama, ka folur edhe për nisjen e punës për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit. Një premtim i kahershëm në infrastrukturën sportive të qytetit verilindor, Rama tregoi se Qeveria ka dhënë fondin për ndërtimin e impiantit të ri, ndërsa pritet që të njëjtën gjë të bëjë dhe Federata Shqiptare e Futbollit.
“Ne jemi duke përfunduar projektin e stadiumit, sepse besojmë se Kukësi e meriton një stadium të ri. Edhe këtu tani është ditë e keqe për miqtë e mi në Vlorë, sepse dhe ata duan stadium. Doni të njëjtat gjëra bashkë me ata. Investimi dhe aty do të krhyet siç jemi zotuar. Ne e kemi vendosur fondin në dispozicion, do e vendosi dhe Federata Shqiptare e Futbollit fondin në dispozicion dhe së shpejti do të jemi përsëri këtu për të filluar punën e ndërtimit të stadiumit të ri”, tha ndër të tjera Rama.
Më tej ai u shpreh se stadiumi i ri do të jetë i standardeve ndërkombëtare, ndërsa ndërtimi i tij, do të ndikojë në ekonominë e Kukësit, ashtu siç ka ndodhur në Elbasan dhe Shkodër.
“Ky do të jetë një stadium i standardeve ndërkombëtare dhe kur të dilni në këto kupat e Europës, nuk do keni nevojë më të emigroni në stadiume të tjera, por do t`i prisni këtu miqtë që do vijnë. Edhe stadiumi i ri do e ndihmojë ekonominë, biznesin, siç ka ndikuar ndjeshëm edhe në Elbasan edhe në Shkodër edhe këtu do sjelli ndikim e vetë”, përfundoi Kryeminsitri.