Kreyministri Edi Rama, i distancuar prej ditësh nga replikat politike, ka zgjedhur që gjatë muajit gusht të prezantojë punët e qeverisë në nivel qendror dhe lokal. Pasditen e të enjtes, kryeministri ka postuar në llogarinë e tij Facebook, disa foto ku duket transformimi i hapësirës rreth liqenit në qytetin vogël të Pukës. Rama shkruan se ky liqen, nga një vend i rrënuar me ferra, gropa e plehra, tashmë është kthyer në destinacion turistik.
“Ky është liqeni në fund të bulevardit të qytetit të vogël të Pukës. Imazhet aktuale që do t’ju pëlqejnë besoj, s’janë 3D po fotografi nga realiteti i një destinacioni të ri turistik, aty ku deri dje, siç mund ta shihni në fotot e para pak kohe, kishte vetëm rrënim, ferra, gropa e plehra e nuk shkelte askush. Sot, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në atë qytet mes pyjesh e pejsazhesh fantastike, po ndodh një transformim që vit pas viti, do të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, shkruan Rama.
Gjatë muajit gusht, shefi i qeverisë ka lënë pas retorikën politike, duke shpërfillur pothuajse çdo akuzë të bërë nga foltorja apo llogaritë në rrjetet sociale të opozitës. Vetëm në rastin e Valdrin Pjetrit, kryeministri reagoi duke shprehur distancimin e tij nga rasti, nëse ai ishte i vërtetë.
Rama është fokusuar te punët e qeverisë në nivele qendror dhe lokal, duke promovuar jo vetëm investimet e programit “Rilindja Urbane”, por edhe aksionet e nisura gjatë verës, ku më i rëndësishmi është ai kundër informalitetit. Megjithatë, opozitës, ndonëse pa replikuar, Rama i është përgjigjur herë pas here edhe me foto të punëve që kanë bërë kryetarët e rinj të bashkive në ditët e para të mandatit të tyre, ku në sy bie aksioni i gjerë i pastrimit në të gjitha bashkitë.
Ndërkohë, edhe këto foto të kreut të qeverisë, erdhën pas disa akuzave të tjera të bërë nga opozita dhe Lulzim Basha mbi ligjin e ri fiskal, që sipas kryedemokratit, Rama “po zhvat biznesin”, duke e rënduar atë me ligjin e ri fiskal.