Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot, më 29 shtator, në Samitin e Euronews për Turizmin, që zhvillohet në Bruksel.
Samiti mbledh së bashku politikëbërës, drejtues të industrisë së turizmit, investitorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, me fokus zhvillimet dhe sfidat që po formësojnë të ardhmen e këtij sektori.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë ndryshimi i pritshmërive të udhëtarëve, inovacioni digjital, investimet dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë aktivitet ndërkombëtar pritet të shërbejë edhe si një mundësi për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në zhvillim, duke sjellë në vëmendje potencialin e vendit, investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin e sektorit të mikpritjes.
Samiti në Bruksel ofron gjithashtu një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e politikave që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së industrisë së turizmit në Europë.


