Raporti i ODIHR, Rama: Gati për dialog me opozitën, zgjedhjet në 2021

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter disa orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë i quan të kota përpjekjet e opozitës për mënyrën se si po e lexojnë raportin e ODIHR, duke dashur të ‘ngrejnë furtunë në gotë’. Rama shprehet se përpjekja e opozitës, për ta lexuar raportin si ‘goditje ndaj zgjedhjeve’ është e gabuar dhe dëmshme për vendin. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, shkruan Rama.

Më tej, shefi i qeverisë vijon me komentin e tij, duke shkruar se tashmë është koha që mazhoranca dhe opozita të punojnë për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Ndaj, Kryeministri i kërkon opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Në fund, Rama përsërit thirrjen për bashkëpunim e dialog ndaj opozitës, duke u shprehur se ‘dora jonë është e shtrirë’. Ai gjithashtu jep dhe mesazhin, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2021, duke lënë të kuptohet, se mbetet i vendosur për të mos pranuar kushtin e opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore. “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogut e bashkëpunimit, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, përfundon Rama.



Skip to toolbar