Rasti i Dibrës dhe hapësira ligjore, ja si PS mund ta largojë Voltana Ademin

AKTUALITET


Pavarësisht dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër, Partia Socialiste ka vendosur që në datën 19 gusht të bëhet konstituimi i këshillit të ri bashkiak. Sipas ligjit “Për pushtetin vendor”, në nenin 61, për “Përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë”, në pikën 1/a thuhet se “mandati i kryetarit të bashkisë përfundon para afatit në rast kur kryetari, nuk pranon të bëjë betimin”. Më pas, në pikën 2 të këtij neni, përcaktohet dhe procedura që ndiqet në rastet e dorëheqjes.

“Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përaktës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, thuhet në pikën 2 të nenit 61. Në këto kushte, duket se mazhoranca nuk do të lejojë që procedurat e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit t`i ndjekë sekretari i mëparshëm i këshillit bashkiak të Shkodrës, por përmes konstituimit të këshillit të ri, këtë detyrë do ta bëjë sekretari i ri i këshillit bashkiak.

Por në këtë pikë, mazhoranca ka dhe arsye të tjera pse duhet të bëjë konstituimin e këshillit bashkiak. Në kushtet kur Valdrin Pjetri nuk do të jetë më kryetar bashkie, mazhoranca, duke shfrytëzuar nenin 61 të ligjit të pushtetit lokal, duket se do të përdor një plan “B” për të drejtuar Shkodrën, duke mos e lënë qytetin verior në dorë të Voltana Ademit, mandati i së cilës përfundon në datën 20 gusht. Konkretisht, në nenin 4, shkruhet se “Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Por, duke marrë parasysh faktin që Ilir Meta mund të mos dekretojë një datë të re për zgjedhjet në Shkodër, dhe në kushtet kur 13 tetori nuk njihet nga qeveria si datë për zgjedhjet lokale (pasi e ka rrëzuar Kolegji Zgjedhor), mazhorancës i vjen në ndihmë pika 5 e nenit 61 të ligjit “Për pushtetin vendor”. Konkretisht, në këtë pikë thuhet: “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.

Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”. Pra, kjo pikë mund t`i japë zgjidhje situatës në Shkodër, në mënyrë që mazhoranca të ketë kontrollin e bashkisë. Por fillimisht, do të duhet të sqarohet pika 4 e nenit 60, po në këtë ligj, ku shkruhet se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Sipas këtij përcaktimi ligjor, kryetarit të bashkisë i mbaron mandati kur bën betimin i riu. Në këto kushte, mund të ekzistojë edhe një tjetër skenar, pavarësisht dorëheqjes pa e bërë betimin, Valdrin Pjetri mund të betohet më 19 gusht sa për të bërë të pavlefshëm mandatin e Voltana Ademit, dhe më pas të deklarojë dorëheqjen zyrtare para këshillit të ri bashkiak, por duke emëruar një zëvendës kryetar. Në këto kushte zgjidhet një zëvendës kryetar, që merr drejtimin e Bashkisë Shkodër, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Drejtimi i bashkisë nga zëvendëskryetari nuk është një rast i panjohur në vendin tonë. Në 21 maj të vitit 2016, këshilli bashkiak i Bashkisë Dibër, vendosi të emëronte zëvendës kryetarin e bashkisë, Et’hem Fida si drejtues të Bashkisë, pas largimit të Shukri Xhelilit, që iu publikua një videoskandal. Fida e drejtoi bashkinë e Dibrës deri në momentin që u mbajtën zgjedhjet e reja, data e të cilave u përcaktua pas vendimit të formës së prerë nga gjykata. Megjithatë, rasti Pjetri dhe Shkodra janë në kushte të tjera, por në thelb është i njëjtë. Tashmë mbetet për t`u parë se çfarë do të ndodhë të hënën më 19 gusht, nëse do të jetë ky skenari, apo mazhoranca ka menduar diçka tjetër./Realstory.al/.



Skip to toolbar