Realstory e paralajmëroi, Meta flet si kryetar partie: T’i heqim pushtetin PS

AKTUALITET


Megjithëse gjatë të enjtes njoftoi se do të largohej për disa ditë nga Tirana për të bërë pushime, Presidenti Meta vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale. Pasi shpërndau letrën dërguar kuvendit, presidenti ka postuar një tjetër mesazh, një thirrje për të larguar nga “pushteti i paligjshëm këtë pakicë dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë”.

Në letrën e gjatë drejtuar shqiptarëve, gjithë retorika e Metës duket si ajo e një kryetari Partie që kërkon mbështetje popullore dhe jo e një presidenti që sipas Kushtetutës së Shqipërisë duhet të qëndrojë mbi palët dhe të mos bëjë thirrje për rrëzim pushteti.

Në qëndrimin e tij Meta bën përgjegjës për krizën në vend ndryshimet kushtetuese të miratuara në vitin 2008, të cilat sipas tij krijuan një pakicë që përfiton në çdo rast dhe nuk pyet për rotacionin politik. Por presidenti harron në këtë rast se e vetmja pakicë që nuk pyeti për rotacion dhe që qëndroi në qeveri si me Berishën ashtu dhe me Ramën ishte LSI e tij.

“Unë e di nga përvoja e mëparshme se sa e vështirë është të jesh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, aty ku konfliktualiteti i dy palëve prej dekadash është konsoliduar si sporti më argëtues për tifozët e udhëheqësve respektivë, të cilët prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 filluan të zbresin edhe nga lozhat e spektatorëve direkt në karriget e deputetëve, madje edhe të boksojnë herë pas here për të garantuar vendin në listat e radhës e duke e bërë të pamundur përmbushjen efektive, të përgjegjshme dhe atdhetare të përgjegjësive të institucionit më të rëndësishëm të vendit që zgjedhin e besojnë qytetarët, të cilët po rrallohen çdo ditë pikërisht se ky konflikt i orkestruar dhe mbështetur nga një pakicë që përfiton me të gjitha qeveritë e radhës, si dhe garanton përmes zhurmës dhe tymit të sherrnajës së përhershme atje miratimin e ligjeve preferenciale e selektive që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, buxhetin e shtetit dhe familjet shqiptare.

Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krize e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.

Kësaj pakice, që nuk ka asnjë lloj ideologjie i intereson vetëm shpikja e konflikteve të pafund në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të zhvishen çdo ditë nga të drejtat e tyre të fituara me aq sakrifica çdo ditë dhe të kthehen skllevër në atdheun e tyre.

Dhe kjo po ndodh se shumë prej përfaqësuesve të tyre që duhet të mbrojnë çdo ditë qytetarët e tyre u janë mbyllur sytë për të parë dhe veshët për të dëgjuar hallet e shqiptarëve. Por jo goja për të argëtuar liderët e tyre. Sepse kjo është e vetmja rrugë për të marrë firmën e tyre për në listën e radhës.

Ndaj është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar”, shkruan Meta duke konfirmuar në këtë mënyrë edhe një shkrim të disa javëve më parë të publikuar nga Realstory.al.

Realstory e paralajmëroi lëvizjen e Metës, jo kthimin e tij në krye të LSI-së, por krijimin e një partie të re.

“I ndërgjegjshëm se LSI e ka kryer misionin e vet; i ndërgjegjshëm se nuk mund të bëhet qesharak dhe të sfidojë bashkëshorten në garë partiake, ose më saktë qëllimisht duke dhënë këtë ide. Ilir Meta nëse nuk arrin të kapet pas karriges së presidentit, do kërkojë një sfidë të re politike. E pat paralajmëruar këtë në fakt kur i dorëzoi Petrit Vasilit partinë: “Nëse nuk ecni mirë, do kthehem në politikë si Ariel Sharon, do krijoj parti të re dhe e sigurt që do ju mund”, pat thënë atëherë me shaka.

Po si duket nuk paska qenë ashtu. Dhe modeli është i gatshëm. Një parti presidenciale si AKP e Erdogan. Një model i ngjashëm me çiftin Milosheviç-Markoviç që kishin dy parti, njëri nacionaliste tjetra “liberale” me objekt të rinjtë (të preferuarit e Kryemadhit) , por më shumë modeli turk.

 Mos ndoshta ka në mendje krijimin e një partie anti-Soros si e Trump? Një parti nacionaliste, e ngjashme me Firdez të Orban, të cilin e lavdëroi aq shumë në konferencën e famshme për shtyp”, shkruante Realstory vetëm, disa javë më herët. Shkrimin e plotë e lexoni këtu./Realstory.al



Skip to toolbar