Reforma zgjedhore, palët politike nxjerrin 12 çështjet kyçe dhe vendosin afatet

POLITIKË


Palët politike janë ulur sot për herë të dytë në tryezën për reformën zgjedhore, ku të përzgjedhurve politikë, u janë bashkuar dhe ekspertët përkatës, duke përcaktuar kalendarin konkret të punës që do të bëhet nga ekspertët.

Nga opozita, ekspertët e përzgjedhurit janë Arjan Madhi-PR; Shkëlqim Sulo- PDIU; Muharrem Caka-LSI dhe Ivi Kaso-PD. Ndërsa PS-ja përfaqësohet nga Tritan Caka. Në tryezë janë gjithashtu edhe Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi, ekspertë të Komisionit të Reformës Zgjedhore.


Në këtë tryezë, palët politike kanë vënë 6 afate konkrete mbi çështjet e reformës zgjedhore, ndërkohë që afati përfundimtar mbetet 15 marsi, ku për Gjiknurin mbetet një afat ambicioz. Për të përmbushur afatin e 15 marsit, grupit i punës ka listuar 12 çështje kyçe, ku vërehet se pjesën më të madhe e zënë kërkesat e opozitës për të pasur një proces zgjedhor me standarde demokratike, dhe ku përfshihet edhe çështja e sistemit zgjedhor.

“Çështja e parë në axhendën e punës, që i duhet dhënë zgjidhje deri në fillim të shkurtit është parandalimi dhe goditja e krimeve zgjedhore, ku përfshihen “masa për rolin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave në procesin zgjedhor kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit dhe administratën, cenimit të sekretit dhe lirisë së votës dhe abuzimi me burimet shtetërore”, thuhet në dokumentin e firmosur nga palët.

Çështjet e tjera që janë përfshirë në kalendarin e punës për t’u trajtuar me prioritet kanë të bëjnë me ndarjen e politikës nga krimi, një kërkesë e vazhdueshme e opozitës, për të cilën parashikohet forcimi i zbatimit të procesit të dekriminalizimit, financimi i partive politike dhe përfshirja e teknologjisë elektronike në zgjedhje.

Gjithashtu, grupi i punës, i cili i kryen diskutimet ka renditur mes çështjeve prioritare listat e zgjedhësve, pajisjen me karta ID dhe parandalimin e votimit fiktiv, rolin e medias në fushatë, parandalimin e abuzimit me burimet shtetërore dhe administratën publike, paanshmërinë e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.

Një nga çështjet prioritare që pritet të diskutohet rreth fillimit të marsit është sistemi zgjedhor. “Parakusht që këto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të ‘ndarjes së shtetit nga partitë politike’ në përputhje me Angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit të Kopenhagenit”, thuhet në dokumentin e dakordësuar për çështjet prioritare të reformës zgjedhore.

Gjithashtu, grupi i punës ka vendosur që për të gjitha çështjet prioritare përfaqësuesit e opozitës “të dorëzojnë propozime në formën e drafteve ligjore dhe zgjidhjeve të mundshme alternative në përputhje me standardet e ODIHR-it për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Grupi i punës ka vendosur që për çështjet që do të ketë dakordësi të plotë dhe të përgatitura në nivel teksti ligjor të dakordësuar, draftet do të dërgohen për opinion paraprak tek ekspertët e ODHIR.

Afatet e vendosura nga Këshillit Politik

Deri në 10 shkurt diskutohen krimet zgjedhore dhe dekriminalizimi

Deri në 15 shkurt diskutohet financimi i fushatave dhe partive

Deri në 5 shkurt diskutohen propozimet për listat e zgjedhësve

Deri në 15 shkurt diskutime për burimet shtetërore gjatë zgjedhjeve

Deri në 15 shkurt diskutohen propozimet për rolin e mediave në fushatë

Deri në 1 mars diskutime për depolitizimin e administratës zgjedhore




Skip to toolbar