Reforma Zgjedhore, Palmer ultimatum: Opozita të ulet në dialog

POLITIKË


Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor ka bërë thirrje që opozita dhe mazhoranca të ulen në tryezën e dialogut. Thirrja e Palmer duket si një ultimatum për opozitën, e cila mban ende një qëndrim të ftohtë edhe pas ftesës së kryeministrit Rama për ulje në dialog. Palmer ka kërkuar që palët të angazhohen në një dialog konstruktiv në lidhje me reformën zgjedhore për të plotësuar të gjitha rekomandimet e OSBE-së duke iu kujtuar se SHBA mbështet çdo qeveri të dal nga zgjedhjet demokratike. “Për SHBA nuk ka fitues apo humbës në lojën politike” tha Plamer, pasi ne “bashkëpunojmë me të gjitha qeveritë që dalin përmes një procesi zgjedhor demokratik” dhe për këtë inkurajohet që të nis sa më parë dialogu.

Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. “ tha Palmer për Zërin e Amerikës.

Thirrja e Palmer duket si një ultimatum për opozitën që të angazhohet në reformën zgjedhore dhe të nisin dialogun për zgjidhjen e ngërçit politik, ndërsa për çdo mosmarrëveshje të lidhur në sferën politike duhet të presin krijimin e gjykatës kushtetuese. Në këtë mënyrë Palmer ka konfirmuar qëndrimin e SHBA-ve se kriza politike duhet të zgjidhet brenda vendit dhe se amerikanët nuk ndërhyjnë.

Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike.” – tha Palmer, i cili konfirmoi edhe një herë se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta dhe të  qëndrueshme.

Gjatë të mërkurës Kryeministri Rama ka ftuar opozitën jashtë Kuvendit të bashkohej në tryezën e Reformës Zgjedhore, por që mori një përgjigje të ftohtë nga Basha i cili u shpreh se nuk ishte ajo që solli krizën dhe se një tryezë e tillë nuk mund të mendohet të drejtohet nga Damian Gjiknuri. Edhe pse nuk e refuzoi dialogun duket se Basha vendosi një kusht të ri “Damian largohu’.  Gjithashtu edhe aleatët prej kohësh i kanë bërë presion publikisht që opozita të ulet në një tryezë dialogu me Ramën për ndryshimin e sistemit elektoral në vend, gjë që mesa duket e duan edhe vetë ndërkombëtarët.



Skip to toolbar