Palmer: Reforma në drejtësi pastroi gjyqësorin. U dënua Shullazi e Balili

#NËRADAR


Mathew Palmer raportoi të mërkurën përpara Senatit në SHBA për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. I Dërguari i Posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, tregoi mes të tjerash, edhe zhvillimet në Shqipëri. Realstory.al siguroi raportin e Senatit, ku Palmer flet për zhvillimet në vendin tonë. Një nga temat kryesore ishte zbatimi i Reformës në Drejtësi. Mathew Palmer e cilësoi përpara Senatit Amerikan këtë reformë, si një hap të jashtëzakonshëm për të çrrënjosur korrupsionin endemik në sistemin e drejtësisë.

“Aleati jonë në NATO, Shqipëria, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në rrugën e reformave duke zbatuar reformën gjyqësore për të çrrënjosur korrupsionin endemik. Reforma kërkon verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuritë e pashpjegueshme dhe lidhjet me krimin e organizuar”, tha ndër të tjera Palmer. Më tej ai tregoi para Senatit amerikan, se nga 143 gjykatës dhe prokurorë të thirrur në Vetting, vetëm 43% e tyre kaluan këtë proces.


“Vetëm 43% e 143 juristëve të verifikuar deri më tani kanë kaluar Vettingun, duke konfirmuar lidhjet e sistemit të vjetër të drejtësisë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shqipëria krijoi gjithashtu dy organe të reja për mbikëqyrjen e gjyqësorit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilët emërojnë dhe qeverisin gjyqtarët dhe prokurorët. Vendi tani është në prag të krijimit të një njësie të re të pavarur antikorrupsion SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, puna e tyre do të jetë të hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e zyrtarëve të lartë”, shprehet Palmer.

Ai nuk la pa theksuar edhe dy arrestimet e bujshme në vendin tonë, Klement Balilin dhe Emiljano Shullazin. “Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të goditur bosët e paprekshëm të krimit të organizuar, siç dëshmohet me dënimin e “mbretit të drogës” me profil të lartë Klement Balili dhe shefi famëkeq i krimit Emiljano Shullazi”, thotë ndër të tjera Palmer në lidhje me Shqipërinë. /Realstory.al/




Skip to toolbar