Refugjatët që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe përdorin territorin shqiptar për të shkuar drejt vendeve të BE-së, nuk duhet të përballen vetëm me rrugëtimin e gjatë me shpenzime, por tashmë duhet të ruhen edhe nga grabitja e mundshme e tyre nga elementë kriminalë. Të paktën kështu u ka ndodhur një grupi të tyre, të cilët janë dhunuar për t’u grabitur, megjithëse reagimi i policisë ka qenë tejet i shpejtë, duke vënë në pranga pesë personat e dyshuar për këtë akt të rëndë.
Sipas të dhënave të policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shkodër dhe personat e dyshuar për dhunimin e tyre janë pikërisht ata që kishin ndërmarrë përsipër transportimin e refugjatëve drejt Malit të Zi kundrejt pagesës.
Burimet policore thanë Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra se disa persona po transportonin disa shtetas nga Lindja e Mesme, me qëllim kalim e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit dhe se këta shtetas ishin futur në pyllin e fshatit Grudë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Stroke”, si rezultat i të cilit u identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: G. N., 23 vjeç, Z. P., 32 vjeç, K. N., 26 vjeç, T. M., 39 vjeç dhe A. D. 24 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
“Të arrestuarit e sipërpërmendur dyshohet se kanë marrë disa shtetas të huaj të vendeve të treta, me qëllim për t’i transportuar për në Mal të Zi. Gjatë rrugës për të shmangur policinë kanë ndryshuar drejtim, duke i futur në pyllin e fshatit Grudë dhe aty i kanë dhunuar fizikisht, me qëllim që t’u vidhin sendet personale, por nuk kanë mundur dot dhe janë larguar”, deklaroi Policia e Shkodrës.
Pas hetimeve intensive, policia identifikoi dhe kapi autorët e dyshuar, të cilët u arrestuan për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 automjete, me të cilat dyshohet që janë transportuar këta shtetas.