Refuzoi shortin për “Shullazin”, kalon vettingun prokurorja “rebele”

AKTUALITET


Sonila Muhametaj, prokurorja e Krimeve të Rënda u njoh të premten me vendimin pozitiv të KPK-së për kalimin me sukses të procesit të vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi mëngjesin e së premtes konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Sonila Muhametaj.

Muhametaj mbahet mend veçanërisht për konfliktin që pati për çështjen “Shullazi” dhe ishte një nga tre prokurorët e transferuar në shtator të vitit 2018, me urdhër të kryeprokurores Arta Marku.

Prokurorja Muhametaj kundërshtoi që të pranonte shortin për të dhënë pretencën për grupin e Emiljano Shullazit dhe për këtë arsye Arta Marku, vendosi masë disiplinore dhe e transferoi Sonila Muhametajn në prokurorinë e Pukës.

Muhametaj ngriti padi kundër vendimit të Markut, në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda. KPK pas analizës së pasurisë vlerësoi se deklaratat e saj nuk rezultojnë me probleme dhe se prokuroria ka burime financiare për të justifikuar pasurinë e saj.

Nga hetimet, KPK nuk vuri në dukje probleme në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, edhe pse u theksua se ishin hetuar disa denoncime. Dy gjetje të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në të cilat pretendoheshin shkelje proceduriale të Muhametajt u rrëzuan si të pabazuara nga KPK.

Muhametaj dha shpjegime të detajuara sa i përket pasurisë dhe u ndal edhe në çështjet për të cilat ishte denoncuar. Ajo tha se të ardhurat e saj ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, ndërsa tha se kishte bërë një jetë modeste dhe kërkoi “të vazhdonte detyrën si prokurore e Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim KPK vendosi konfirmimin në detyrë të prokurores Muhametaj.



Skip to toolbar