Alushaj në Apel, drejt zhbllokimit gara për Kryeprokuror

AKTUALITET


Gjykata Administrative e Apelit shqyrton këtë të premte ankimimin e kandidatit për kryeprokuror Lulzim Alushaj. Ai u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në garën për  Kryeprokuror, me arsyetimin se nuk plotësonte 15 vite punë si jurist i spikatur. Por, Alushaj deklaroi të premten në Gjykatën Administrative të Apelit se i plotësonte kushtet e kërkuara nga KLP.

Sipas Alushaj, diploma e tij është lëshuar në 15 qershor të vitit 2004, duke pretenduar se plotëson 15 vite përvojë pune si jurist i spikatur. Gjithashtu, ai akuzoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë se veproi me dy standarde në rastin e tij. Alushaj u shpreh se KLP duhet të skualifikonte nga gara kandidatin Olsian Çela, që sipas tij ende nuk kishte kaluar vettingun.


Gjithashtu, Lulzim Alushaj mësohet të ketë kërkuar nga kryesuesi i seancës në gjykatë, Kastriot Selita, që ta quajë të paligjshme garën për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas Alushaj, KLP nuk ka respektuar ligjin për zhvillimin e garës. Ndërkohë, pala e paditur, KLP është shprehur në gjykatë se kandidati Olsian Çela ishte në proces rivlerësimi dhe ligji për garën për Prokurorin e Përgjithshëm nuk e pengon një kandidat prokuror që të kandidojë.

Tashmë pritet që Gjykata Administrative e Apelit të japë vendimin përfundimtar për Lulzim Alushajn. Aktualisht në garën për Prokurorin e Përgjithshëm janë Arta Marku, që drejton përkohësisht akuzën, prokurori i Krimeve të Rënda  Olsjan Çela dhe prokurorja e Apelit në Tiranë Fajtona Memçaj. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative të Apelit për Alushajn do të zhbllokojë garën për Kryeprokuror, pasi i hap rrugën KLP-së që të vijojë më tej me kandidatët e mbetur në garë.




Skip to toolbar