Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, thirri të hënën në një mbledhje të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të futbollit. Në mbledhje ishte dhe trajneri i ekipit A, Edy Reja.
Veç analizës së punës së ekipeve kombëtare, Reja ishte dhe për një arsye tjetër, rinovimin e kontratës. Ai konfirmoi se rinovimi ishte qëllimi kryesor i takimit të tij me Armand Dukën, por nuk tha nëse kishte firmosur, duke u shrpehur se “s`kemi nevojë për letra”.
Megjithatë, të hënën pasdite gjithçka është mbyllur. Duka dhe Reja kanë hedhur firmat në letra, ndërsa termat financiar nuk kanë ndryshuar. Reja do të jetë trajner i kombëtares edhe për katër vitet e ardhshme.
Balkanweb mëson se trajnerit i është vendosur objektiv kualifikimi në Europianin e ardhshëm, ndërsa për kualifikueset e botërorit nuk është vendosur asnjë objektiv.
Ndërkohë, trajnerit Edy Reja i është kërkuar gjithashtu të ketë nën monitorim edhe ekipet kombëtare të moshave. Kontrata e trajnerit Reja skadoi në 20 nëntor të këtij viti, pas përfundimit të eleminatoreve të Kampionatit Europian të 2020.