Trajneri i kombëtares Edy Reja ka publikuar listën me emrat e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet ndaj Francës dhe Islandës. Risia në listën e teknikut është futbollisti i Paderborn, Klaus Giasula, i cili luan në mesfushë. Nga emrat e rikthyer në kombëtare janë sulmuesi Rey Manaj dhe Keidi Bare, të dy futbollistë që luajnë në La Liga 2. Ndërkohë, veç lojtarëve të grumbulluar, Edy Reja ka dhe një listë prej 7 lojtarësh ekstra, të cilët do të qëndrojnë të gatshëm në rast se do ketë dëmtime gjatë fazës përgatitore. Fjalën e tij trajneri e ka nisur me ndjesë lidhur me konferencën e fundit për shtyp në muajin qershor, ku pati një tension kur u pyet për skemën e lojës.
“Kërkoj ndjesë për konferencën e fundit për shtyp, ku e teprova pak kur më pyetët për skemën. Por ishte një moment emotiv. Në të ardhmen do të kemi bashkëpunim më të mirë”, tha Reja.
Më pas trajneri ka folur për listën e lojtarëve të grumbulluar, duke analizuar fillimisht emrat e rinj të thirrur në kombëtare.
“Kemi disa risi, siç është rikthimi i Rey Manajt. Për herë të parë grumbullohet Klaus Giasula një lojtar me veti shumë të mira fizike. Te lista e lojtarëve të gatshëm veçojmë Lorenc Trashin që ka bërë mirë te Partizani. Gjithashtu veçojë Taulant Seferin një lojtar që është duke u afirmuar në arenën ndërkombëtare. Gati do të jenë dhe Vrioni dhe Salahi që janë grumbulluar në kombëtaren U21. Risia tjetër është Marash Kumbulla nga Verona në Serie A, një lojtar i mirë që ka perspektiv. Dua të shoh Keidi Baren, që tani po jep më të mirën me klubin e tij”, tha trajneri Reja.
Reja më tej sqaroi edhe faktin se nga federata i është kërkuar që të ketë rezultate por njëkohësisht të rinovohet dhe skuadra.
“Kemi futur shumë lojtarë të rinj në këtë listë. FSHF më ka kërkuar rezultate sa më të mira me ekipin kombëtar, por njëkohësisht rinovimin e skuadrës. Jemi fokusuar te dy ndeshjet e radhës ku e rëndësishme është rezultati por do kujdesemi dhe për integrimin e lojtarëve të rinj”, tha Reja.