Futbollisti i kombëtares, Myrto Uzuni foli të hënën në konferencë për shtyp nga grumbullimi me ekipin përfaqësues. Sulmuesi beratas, që rikthehet në listën e trajnerit Edy Reja, u shpreh i lumtur për ftesën. “Është tjerët klubi është tjetër Kombëtarja. Ke ndjenja dhe ndien më shumë besim. Ndihesh krenar që të përfaqësosh këto ngjyra. Mezi e prisja ftesën e radhës. Isha duke punuar fortë dhe prisja ftesën e radhës. Ndihem mirë pasi me Lokomotivën jam aktivizuar çdo ndeshje nga 90 minuta, kam asistuar kam shënuar. Besoj se jam në formë të mirë. Unë dua të luaj tek të 2 sfidat, por duhet t’i tregoj trajnerit që jam i gatshëm”, tha Uzuni.
Megjithatë, futbollisti nuk e kishte pritur mirë faktin që u la jashtë në ndeshjet e tetorit. “Nuk jam ndjerë mirë kur nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva. Isha dhe duke lozur. Trajneri e pa që unë po bëja mirë. Trajneri nuk mund t’i japë llogari lojtarit që pse nuk po e thërret”, tha Uzuni. Sulmuesi, që aktivizohet te Lokomotiva Zagreb, nuk trembet nga konkurrenca në skuadër, pasi sipas tij i bën lojtarët të japin maksimumin. “Konkurrenca bën mirë për çdo ekip dhe lojtarët japin maksimumin për ekipin. Rëndësi ka që të dalim të gjithë të gëzuar me pikë maksimale”.
Ndërkohë, duke folur për ndeshjen ndaj Andorrës, Uzuni u shpreh: “Mendoj që asnjë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar. Jemi profesionist dhe duhet të hymë në fushë të bindur për fitore, pavarësisht se çfarë sjellë loja”. Fakti që kuqezinjtë do të luajnë në stadiumin e ri kombëtar, për Myrto Uzunin do të jetë një shtysë më shumë për të bërë mirë. “Do të luajmë në shtëpinë tonë të re dhe tifozeria do të jetë e gatshme për të na përkrahur. Besoj se ata do na shtyjnë të japim akoma me shumë”, përfundoi lojtari.