Reshjet e forta godasin Shqipërinë, probleme në disa qarqe të vendit

AKTUALITET


Reshjet e forta të shiut gjatë fundjavës mbi vendin tonë, të shoqëruara me shtrëngata, kanë shkaktuar probleme në shumë qarqe, si Tiranë, Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Reshjet kanë sjellë fryrje të lumenjve në Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë duke rritur rrezikshmërinë  për përmbytje.

Si pasojë e motit të keq vetëm pas 14 orësh në det, vetëm mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 nga trageti që ndodhej në radë zbritën pasagjerët në Vlorë. Për anijet e peshkimit u pezullua lundrimi. Edhe në Shëngjin është pezulluar lundrimi, pasi dallgët e detit kanë arritur deri në shëtitoren e plazhit.


Edhe në Durrës forca e detit është 8 ballë, ndërsa një traget ka ardhur në mëngjes dhe një në 11:30 nga Ancona, tjetri pritet në 16:00 nga Bari. Fluksi nga Italia është shtuar për shkak të festave të fundvitit, ku një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur t’i kalojnë pranë familjeve. Në portin e Durrësit anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat ndodhen në spirancë për shkak të motit, ndërsa tragetet dhe anijet e tonazhit të lartë vazhdojnë punën.

Mot me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë ka pasur edhe në Sarandë. Si pasojë e dallgëve dhe erës së fortë është pezulluar lundrimi për mjetet e peshkimit, gjithashtu është pezulluar lundrimi për anijet e pasagjerëve drejt Korfuzit. Shiu do të vijojnë deri nesër në mesditë më pas do të ketë ulje të temperaturave për t’u rikthyer sërish në fundjavën tjetër.

Stuhia e reshjeve që ka përfshirë vendin ka pushtuar edhe kryeqytetin duke sjellë trafik të rënduar dhe rritje të nivelit të Lanës. Në Unazën e Re në Tiranë te rruga ‘Teodor Keko’ si pasojë e stuhisë kanë rënë tre pemë duke bllokuar rrugën.

Probleme nga moti i keq ka pasur në disa zona edhe në Gjirokastër. Në Labovë të Madhe dhe në Qestorat ka rrëshqitje dherash dhe si pasojë rruga është bllokuar. Si rezultat i erës së fortë dhe reshjeve të shiut në Grykën e Këlcyrës janë rrezuar disa pisha të cilat kane bllokuar rrugën automobilistike Këlcyrë -Tepelenë.




Skip to toolbar