Rikonstruksioni i konvikteve në QS, Rama: PPP-të, publiku përfiton shërbim pa kosto ekstra

AKTUALITET


Kryeministi Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj kanë parë nga afër punën për rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti. Deri më tani, ka përfunduar rikonstruksioni i 11 godinave, 6 të tjera janë drejt përfundimit ndërsa 3 të fundit pritet që të nisin nga rikonustrksioni javën e ardhshme. Kreu i qeverisë dhe ai i bashkisë kanë vizituar godinën 24 dhe 25, aty ku puna është duke vijuar me instratrukturën e brendshme.  “Na kanë mbetur dhe tre konviktet e fundit që besoj fillojnë punë javën tjetër. Kemi mbaruar 11 totalisht, kemi aktualisht nja 5-6 kantiere të hapura” – tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili theksoi se sfida e radhës është mirëmbajtja e tyre, për të cilën ideja e punësimit të studentëve si administratorë mbetet zgjidhja më e mirë.

“Në qytetin studenti, ne punësojmë shumë staf, recepsionistë, administratorë, etj.. Çdo gjë ka nevojë për t’u mirëmbajtur. Menduam që ideja më e mirë, meqë specialistët janë më paga minimale, është që ne mund të punësojmë studentë. Pra, do të hapim disa vende pune dhe do t’u themi që kemi disa vende pune si administratorë. Po u prishën dushet, po ndodhi diçka, apo ndonjë problem tjetër kemi një administrator që është një prej studentëve”, ka thënë Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj është shprehur gjithashtu se Karta e Studentit do të fuqizohet prej 1 tetorit, ndërsa ky shembull po ndiqet edhe në qytete të tjera. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, duke folur për partneritetin me privatin, u është përgjigjur kritikëve të PPP-ve, duke marrë si shembull Rrugën e Arbërit, duke u shprehur se ‘partneriteti publik-privat është i vetmi mekanizëm”, ku privati hedh lekët e veta derisa të garantohet shërbimi, ndërsa qytetarët e përfitojnë pa kosto ekstra.  


“Pa diskutim që ky është i vetmi mekanizëm. Sot pashë videon e re nga rruga e Arbrit, ajo është bërë spektakël, ka shkuar deri në gjysmë të rrugës. Është një fond që qeveria nuk e kishte, se po ta kishte do ta kishte bërë 30 vjet. Nga ana tjetër, këto nuk shikohen të veçuara. Sepse dikush mund të pyesë, pse nuk i keni ju 300 milionë? Por nuk janë vetëm këto që duhen, sepse janë dhe 1500 gjëra të tjera. Qeveria nuk i mbledh të gjitha në një vend. Ndërkohë që rruga e Arbrit mbaron brenda 2021 dhe ne shlyejmë deri në 2031, që do të thotë njerëzit 10 vjet e gëzojnë, ndërkohë që me atë lloj ritmi do të ishin dashur 13 vjet ta bënim. Këtu krijohet ideja se, kur këtu fton privatin, ai merr lekët e shtetit dhe ikën. Ai hedh lekët e veta për një periudhë kohe, sa të garantohet ai shërbim apo ajo vepër dhe publiku e përfiton pa asnjë shpenzim ekstra, ndërkohë që qeveria paguan pastaj me këste deri kur ta shlyejë dhe i kthehet në pronën e vet”, përfundoi Rama.




Skip to toolbar