Rikthimi plangëprishës i Olldashit Jr. Nga protesta, tani “Basha Ik”

AKTUALITET


Jozefina Topalli nuk është e vetme kundër Lulzim Bashës. Pasi heshtën dhe pritën deri më 30 qershor, ndoshta duke besuar se kauza e kryedemokratit me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve do të detyronte Edi Ramën të largohej, tani që kjo gjë nuk ndodhi dhe PD është pa asnjë pushtet, reagimet brenda së djathtës janë shtuar. Dhe pas Topallit, një tjetër zë, ndoshta jo më shumë për figurën personale por për atë që mbart në mbiemrin e tij, ka dalë kundër kreut të PD-së, duke kërkuar largimin nga partia.

Ai është Glauk Olldashi, i biri i të ndjerit Sokol Olldashit, një nga ish personalitetet më të rëndësishme të Partisë Demokratike, që u nda nga jeta tragjikisht pak vite më parë. Glauku, i biri i Olldashit, këtë vit ka mbushur moshën për të votuar, ka reaguar pas zgjedhjeve të 30 qershorit, që ‘de facto dhe de jure’ e nxjerrin PD-në pas asnjë pushtet. Olldashi ‘Junior’, i cili ka mbështetur PD dhe Lulzim Bashën në çdo protestë prej 16 shkurtit deri në 21 qershor, shkruan se tashmë Basha duhet të largohet, pasi ka humbur dy palë zgjedhje dhe në të tretat, partia nuk pati mundësi të testonte besimin e popullit.

“E Diela ishte dita në të cilën do të kisha ushtruar për herë të parë të drejtën e votës. Nuk e bëra, edhe pse e kisha pritur këtë ditë prej kohësh.​ Demokratët nuk i janë trembur kurrë proceseve zgjedhore sepse ato janë për ne prova dhe sprova e demokracisë. PD-ja fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim dhe frymëzon demokratët dhe të gjithë shqiptarët që edhe pse nuk kanë bindje të caktuara politike besojnë tek fryma që forca jonë përfaqëson. A është në popull ky besim? Zgjedhjet e 2015 dhe 2017 treguan që, Jo. Tek procesi i 2019 nuk e testuam besimin e popullit. Tashmë ky akt, i cili i dha 61 bashki PS – A do t’i vlejë kësaj force politike? Po për ne a do të vlejë?”, shkruan Glauk Olldashi.

Më pas, djali i Sokol Olldashit, ngre pyetjen se kush e ka fajin për gjithë këtë dështim, duke dhënë dhe përgjigjen, “vetja”. Ai shprehet se demokratët shqiptarë nuk u pyetën për pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, ndaj, tani duhet, sipas Glauk Olldashit, që të nis një proces zgjedhor për ristrukturimin e PD-së. “Fakti i hidhur është që PD nuk do të menaxhojë më asnjë pushtet. Kush ka faj? Sigurisht që përgjigja që na vjen në mendje kur na pyesin është “vetja”. Por, demokratët nuk u pyetën për vendimin e mospjesëmarrjes, në fakt demokratët jo vetëm që nuk pyeten më në PD, por edhe kur ndonjëri guxon të kundërshtojë shpallët “tradhëtarë”. Kjo mendësi komuniste, edhe pse e huaj për partinë tonë, na ka “infektuar”. C’farë është kura? Për mendimin tim do na bënte mirë një proces zgjedhor për ristrukturimin e partisë tonë. Po më quajtët tradhtar. nuk mërzitem”,- e mbyll komentin e tij djali të ndierit Sokol Olldashi, 18-vjeçari me emër Ilir, Glauk.

Në fakt, kjo thirrje e Glaukut, të kujton edhe njëherë se “rrënjët mbeten rrënjë”. Ashtu si babai i tij, Sokoli, që disa vite më parë akuzonte Lulzim Bashën se i kishte marrë partinë duke manipuluar votatat e demokratëve në zgjedhjet për kryetar, një filiz e re po rritet dhe mban të njëjtin mbiemër, ndoshta do të ketë dhe atë karakter si i ati, që edhe sot e kësaj dite, ka idhtarët e tij brenda së djathtës.



Skip to toolbar