Nga rindërtimi, paketa “anti-KÇK” dhe infrastruktura, Rama tregon 7 prioritetet e qeverisë për 2020

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama foli pas mbledhjes maratonë të qeverisë, që u mbajt të hënën në Golem. Rama deklaroi së pari se gjatë mbledhjes u diskutua për aktivitetin e ministrive duke u përqëndruar te problemet dhe prioritetet. Kryeministri theksoi se gjatë diskutimit pjesa më e rëndëisshme i është kushtuar rindërtimit.

“Ne në fund të çdo sesioni parlamentar në prag të pushimeve të verës dhe në prag të vitit të ri bëjmë një mbledhje të gjatë ku kalojmë të gjithë aktivitetin e ministrive duke u përqendruar te problemet dhe prioritetet. Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin, kemi një plan shumë solid për të nisur procesin. Objektivi është që brenda pranverës të jetë e nisur dhe brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Për ata që do të hyjnë në lagjet e reja do të vijojnë të qëndrojnë me qira, deri kur të jenë gati”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri tregoi edhe temat e tjera të diskutuara gjatë mbledhjes së qeverisë. Rama pohoi se në fillim të janarit do të miratohet aktin normativ për paketën “Anti-Kap Ç`të Kapësh”. Gjithashtu, Rama renditi edhe 7 prioritetet e tjera të qeverisë shqiptare për vitin 2020, të cilat konsistojnë në investime të rëndësishme në arsim, infrastrukturë, etj.

“Kemi diskutuar ato që ju i keni parë, si 7 prioritetet e qeverisjes. Në fillim të janarit do të kalojmë aktin që u pengua për shkak të gjendjes së emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe njëkohësisht do të vijojmë punën për Paktin për Universitetin, në pranverë fillon puna për Kampusin e madh, por edhe laboratori i ri shkencor, që do të jetë një risi për policinë e shtetit”.

“Te Akademia e Arteve do të rindërtojmë nga e para pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane. Energjinë dhe infrastrukturën kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës, shumë shpejt procedura për portin e fotovoltaikëve. Shumë shpejt procedura për rrugën e re, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë. Po punohet dhe besoj se shpejt do të shpallet edhe për tunelin e Llogarasë dhe pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipojë dhe të tjera. Shumë shpejt kalojmë ligjin e ri për tokën në parlament, do u japim zgjidhje aty ku nuk ka funksionuar 7501″, u shpreh Rama.

Një nga objektivat e qeverisë për vitin 2020 do të jetë dhe ofrimi i shumë shërbimeve online, që sipas Kryeministrit do të jenë në ndihmë të qytetarëve. Ai tha se synimi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2020 të mbyllen të gjitha sportelet që ofrojnë shërbimet për qytetarët, me qëllim që këto shërbime të ofrohen online. Kështu, sipas Kryeministrit do të shmangen ryshfetet.

“Shërbimet online i kemi prioritet, në janar shumë shërbime kalojnë online, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të shkojnë në zyra dhe sportele dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet ti marrin nga institucionet, do i garantojë vetë shteti. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim të gjitha sportelet, kanalet e ryshfetit dhe radhëve në pritje përgjigje dhe e fundit, shengeni rajonal, që është një prioritet” tha ai.



Skip to toolbar