Fakti që opozita është fajtore e vetme për krizën e krijuar në vend kjo tashmë është e ditur nga të gjithë dhe vetë opozitarët. Ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili prej kohësh ka dalë hapur me qëndrimet kritike ndaj kryedemokratit Basha, duke u bërë pjesë e një prej zërave të rëndësishëm në lëvizjen “Basha Ik”, ka dhënë një tjetër mesazh për demokratët me shpresën se dikush do e dëgjojë dhe do i mbush mendjen Bashës se kush është rruga e duhur për të fituar. Ristani tha se strategjia e opozitës për të rrëzuar qeverinë nuk është duke dalë vetë jashtë sistemit, pasi kjo vetëm e përkeqësoi gjendjen dhe se i dha asaj më shumë pushtet dhe fuqi. Ai tha se zgjidhja e vetme në këtë rast është vënia përballë qeverisë të një opozite të fortë, parimore dhe me përfaqësues politikë të denjë, e jo duke ndjekur rrugën e saj anti-sistem me shpresën se kështu, Rama mund të ikë vetë.
“Nxjerrja e vendit nga qorrsokaku politik, nga impasi i sistemit, i cili nxit në mënyrë artificiale krizën në çdo fushë, në një vend demokratik, ka vetëm një ilaç bazë: opozitën e vërtetë, të fuqishme, parimore, të njerëzve të këtij vendi, të përfaqësuar nga kontributorë të besueshëm publik. Interesi themelor i çdo shqiptari është, të ruajë demokracinë si sistem politik. Strategjia e PD, për të mundur Ramën dhe Rilindjen, nëpërmjet daljes nga sistemi, rezulton të jetë rrugë e gabuar. Kjo, jo se Rama dhe krimi janë të fortë dhe të pathyeshëm, përkundrazi, Ramës i ka mbaruar koha morale për të qeverisur. Është strategjia anti-sistem, e ndjekur nga opozita, në thelb e gabuar dhe e destinuar të dështojë, e cila i jep Ramës mundësinë të ketë në dorë të gjitha pushtetet .” – shkruan Ristani, i cili bën thirrje për opozitën që të rikthehet në vendimmarrje dhe të marrë pjesë në komisionet e posaçme për reformën zgjedhore apo edhe atë në drejtësi. Madje Ristani shkruan se opozita nuk duhet të ketë më naze e pretendimet me kërkesat e saj për dialog apo përfshirje politike, por duhet të fokusohet në përmirësimin e reformave dhe të jap kontributin e saj, në mënyrë që ky sistem të marrë fund. Opozita duhet të shmang sulmet ndaj reformës në drejtësi dhe të përfshihet në përmirësimin e saj tha Ristani, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë atë që kërkon, një sistem demokratike të pa kapur nga politika.
“Rikthimi i opozitës në sistem, tashmë, në këtë fazë ku ndodhemi, nuk bëhet me pretendime, por me veprime që provojnë qenien pro sistem. Prova kryesore sot, pro sistem, është qëndrimi ndaj reformës në drejtësi dhe kontributi konkret për ta mbështetur atë, për ta përmirësuar atë, dhe për të mirëpritur rezultatet e saj.”- shprehet Ristani