Sërish raste të reja me COVID-19 në Berat, mes 5 të infektuarve dy punonjës të ISHP-së

AKTUALITET


Është rikthyer sërish me 5 raste të reja në qytetin e Beratit virusi Covid-19. Vetëm sot janë regjistruar 5 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 21 numrin e rasteve aktive në Berat. Vetëm njëri prej rasteve të sotëm është kontakt i rasteve të mëparshme, ndërkohë që 4 rastet e tjera janë raste të reja. Mes të infektuarve janë edhe 2 punonjës (një burrë dhe një grua) të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat që ende nuk dihet se nga kush janë infektuar dhe një çift të moshuarish që ishin të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe aty rezultuan të prekur me koronavirus.

Nga pesë rastet e sotme, 4 raste janë brenda në qytetin e Beratit dhe 1 rast është në fshatin Karkanjoz. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kryer 28 tampone në stafin e Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat, pas konfirmimit pozitivë të punonjësit të policisë, bashkëshortja e të cilit punonte në këtë drejtori. Pas testimeve, bashkëshortja e efektivit të policisë ka rezultuar negative, ndërkohë që të infektuar kanë rezultuar 2 punonjës të tjerë (një burrë dhe një grua). Mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat, menjëherë pas konfirmimit të 5 rasteve të reja, dy prej të cilëve brenda drejtorisë së tyre, janë duke kryer hetimin epidemiologjik për gjurmimin e kontakteve. Rastet e sotme me Covid-19 që i përkasin 2 punonjësve të DSHP-së Berat, kanë vënë në alarm të gjithë drejtorinë, ku është kryer dezinfektimi i plotë i çdo ambienti të saj.


Mjekët infeksionistë të DSHP-së Berat, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, janë duke kryer gjithashtu dezinfektimin e banesave të rasteve të reja që kanë rezultuar sot pozitivë në qytetin e Beratit dhe në fshatin Karkanjoz.




Skip to toolbar