SHBA përgëzon votimin e ‘5 Qershorit’: Këshilli Politik të vijojë takimet, palët të jenë të qarta me shqiptarët

AKTUALITET


Ambasada Amerikane ka reaguar pasi Kuvendi votoi me 97 vota pro marrëveshjen e 5 qershorit.

SHBA thonë se Këshilli Politik duhet të vijojë të mblidhet për të diskutuar mbi reforma të mëtejshme zgjedhore.


Selia diplomatike shton se palët duhet të marrin pjesë në Këshill me mirëbesim dhe të shpjegojnë pozicionet e tyre të qarta.

Deklarata:

Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian.

Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore.

Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.




Skip to toolbar