SHBA tjetër goditje Metës, merr në “mbrojtje” Borchardt dhe Kushtetuesen

#NËRADAR


Bernd Borchardt, paraqiti të enjten përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin vjetor të veprimtarisë së kësaj organizate në Shqipëri. Ndonëse ky raport nuk mund të publikohet, ambasadat përkatëse në Këshillin e Përhershëm, japin konsideratat e tyre në lidhje me punën e Prezencës së OSBE në Tiranë. Misioni Amerikan në OSBE, publikoi konsideratën e tij në lidhje me raportin e Bernd Borchardt.

“Prania e OSBE-së në Shqipëri ka qenë e domosdoshme për përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimit të gjyqësorit dhe mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ne e vlerësojmë raportin tuaj të detajuar”, thuhet në krye të deklaratë. Në fakt, duket një mesazh mbështetës i SHBA dhe Misionit të OSBE-së ndaj ambasadorit Borchardt, që është vënë në qendër të kritikave nga Presidenti Ilir Meta. Duke falënderuar punën e misionit të OSBE në Shqipëri, SHBA shprehet se Prezenca është e rëndësishme për të bashkuar politikanët shqiptarë për reformën zgjedhore.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se Prezenca ka një mundësi unike për të bashkuar politikanë dhe liderët në Shqipëri për të arritur një reformë të rëndësishme zgjedhore”, thuhet në komunikatën e Misionit Amerikan në OSBE. Ndërkohë, SHBA shpreh vlerësimin për Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, që është duke punuar mbi rekomandimet e OSBE. “Jemi të kënaqur që Komisioni parlamentar “ad hoc” për Reformën Zgjedhore pranoi rekomandimet e ODIHR, ndërsa kërkon të përmirësojë sistemin zgjedhor. Shqipëria dha shembull për shtetet e tjera anëtare, duke përfshirë rekomandimet e OSBE-së. Ne presim që Shqipëria të vazhdojë të japë shembull, pasi do të ketë Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet reformës në sistemin e drejtësisë dhe ngritjes së Gjykatës Kushtetutese, që së fundi është në ngërç. Së pari, SHBA shprehet se: “Reforma gjyqësore është thelbësore për përparaimin demokratik të Shqipërisë dhe krijon një bazë të fortë nga e cila Shqipëria mund të nxisë qeverisjen e mirë, të luftojë ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, thuhet në vlerësimin e SHBA.

Më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë emërimin e anëtarëve të parë të Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se duhet të punohet për plotësimin e kuorumit në këtë Gjykatë, me qëllim që të ketë mundësi të shqyrtojë çështjet. “Shtetet e Bashkuara u kënaqën kur dëgjuan përparimin në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Është një hap pozitiv në rikthimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, puna mbetet, për të arritur kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështjet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu, SHBA vlerëson punën e Prezencës së OSBE për “rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të KLGJ dhe KLP përmes mbështetjes teknike dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Ne i bëjmë thirrje Prezencës të ndihmojë Shqipërinë të zbatojë reforma shtesë”. Duke u ndalur te sfidat e Shqipërisë, deklarata e Misionit Diplomatik të SHBA në OSBE, zbulon edhe një detaj, që lidhet me krijimin e një programi master për kriminologji në Universitetin e Tiranës, që do të përgatisë ekspert për luftën kundër korrupsionit.

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e Prezencës me institucionet shqiptare, autoritetet lokale dhe aktorët ndërkombëtarë për të ofruar trajnime dhe asistencë teknike për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë duke bërë pjesën e tyre, duke përfshirë kontributin në projektin jopublik të zyrës tuaj për të krijuar një program master për kriminologji në Universitetin e Tiranës”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen se “Shqipëria ka qenë një aleat i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për adresimin e shqetësimeve të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Duke marrë rolin e Kryetarit të Zyrës, Shqipëria ka shfrytëzuar mundësinë për të vërtetuar potencialin e saj drejtues në rajon, si dhe të demonstrojë aftësinë e saj për të qëndruar e fortë kundër ndikimeve malinje”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. /Realstory.al/



Skip to toolbar