Shembja e Teatrit, Basha e Meta u rrëmbejnë protestën artistëve

AKTUALITET


Kreu i PD-së Basha dhe presidenti Ilir Meta janë bërë protagonistët e protestës të së mërkurës për mbrojtjen e godinës së teatrit kombëtar. Pasi dështuan në bllokimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dy aleatët gjetën një tjetër kauz për të bërë opozitë, dukë ia rrëmbyer protestën artistëve dhe aktivistëve dhe shoqërisë civile dhe duke e kthyer atë në një çështje thellësisht politike.

Pas kreut të PD-së i cili iu bashkua protestës së artistëve edhe presidenti Ilir Meta ka reaguar duke e cilësuar të turpshme rrethimin e Teatrit me policë. Meta i bën apel Policisë së Shtetit që të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht.


“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare.

As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!

Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, shkruan Meta.

ora 10:30/ Shembja e Teatrit, Basha i rrëmben protestën artistëve: Braktisni qeverinë

Protestës së artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar i është bashkuar kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili bëri thirrje politike që shqiptarët të braktisin qeverinë dhe të shporrin Edi Ramën. Basha shfrytëzoi mundësinë për të bërë politikë ndërsa premtoi se opozita do të mbështesë Aleancën e Qytetarëve në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa tha se qeveria synon të pastrojë paratë e drogës me projektin e ri.

“Një grup hajdutësh kanë marrë përsipër të prishin teatrin dhe të pastrojnë paratë e drogës. Ne jemi në mbështetje të artistëve për të ndalur këtë grabitje kriminale. Çdo përpjekje për të hapur gropën e teatrit, do të hapin gropën e Edi Ramës.

Opozita ka qenë dhe do të jetë këtu gjithmonë. Çështja është se më në fund përpara shqiptarëve duket e qartë se nuk kemi një qeveri por një bandë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se kjo që po ndodh këtu mund të ndodhë edhe në shtëpitë e tyre. Ndaj edhe duhet ta braktisë qeverinë siç bëri në 30 qershor. Ne duhet ta shporrim këtë bandë. Aleanca ka përcaktuar aksionin këtu, ne jemi në mbështetje të tyre në të gjitha format”, tha Basha.

LIVE – Nga Teatri Kombëtar, i cili është rrethuar nga policia, në tentativë për ta shembur.

Gepostet von Partia Demokratike e Shqipërisë am Mittwoch, 24. Juli 2019

Ora 10:00/ Shembja e Teatrit Kombëtar, artistët përplasen me policinë

Ka agravuar situata përpara Teatrit Kombëtarë. Protesta e nisur paqësore në orën 7.00 të mëngjesit të mërkurës tani ka precipituar. Artistët dhe qytetarët janë përplasur me forcat policisë duke shtyrë gardhin e policëve në mbrotje të teatrit duke tentuar të hyjnë brenda godinës së Teatrit Kombëtar për të mos lejuar shembjen e tij. Të pranishëm në protestë janë edhe ish deputetë të PD-së, si Albana Vokshi.

Gepostet von Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit am Mittwoch, 24. Juli 2019

Ora: 8: 30/ Nis boshatisja e Teatrit Kombëtar. Policia rrethon zonën, artistët në protestë

Ka nisur të mërkurën boshatisja e Teatrit Kombëtar, për të mundësuar më pas shembjen e tij për t’i hapur rrugën ndërtimit të një teatri të ri bashkëkohor dhe me më shumë hapësira për artistët dhe banorët e Tiranës. Por një grup artistësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur në sheshin përpara teatrit dhe kundërshtojnë shembjen e tij.

Ndërkohë forcat e policisë kanë rrethuar zonën.

Punonjës të ndryshëm kanë nisur të nxjerrin jashtë orenditë dhe të gjitha pajisjet e tjera të teatrit. Ndërsa regjisori Budina i bëri thirrje opozitës që t’u vijë në ndihmë dhe të mos lejojë shembjen e teatrit.

“Ne jemi 24 orë në mbrojte të Teatrit. Na mbështesin edhe jelekverdhët francezë. Do ta rrethojmë me trupat tanë teatrin kombëtar. I bëj thirrje qytetarëve dhe opozitës që të vijë në këtë moment dhe të na mbështesin. Qëndresa jonë është pa dhunë por me fjalët tona do i çarmatosim ata. Qëndresa jonë është një leksion demokracie”, tha Budina.

Prej muajsh shembja e Teatrit Kombëtar është kthyer në një çështje debati. Një grup artistësh të mbështetur nga opozita kundërshtojnë shembjen e tij dhe ndërtimin e një godine të re më bashkëkohore. Ata pretendojnë se godina aktuale ka vlera historike për artin në vend.

Gepostet von Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit am Dienstag, 23. Juli 2019



Skip to toolbar