Sherifi moldav ‘deporton’ Partizanin nga Europa

SPORT


Ka zgjatur vetëm 63` minuta suksesi i Partizanit ndaj Sherif Tiraspolit në transfertë. Goli i shënuar nga Jasir Asani në minutën e 29` të takimit, nuk mjaftoi që ëndrra e Partizanit në Europë të vijonte dhe më tej. Skuadra e drejtuar nga trajneri Franko Lerda ka barazuar 1-1 në Moldavi ndaj skuadrës vendase të Sherif Tiraspol, por humbja në “Selman Stërmasi”, 0-1 në favor të miqve, e nxjerr përfundimisht Partizanin nga Europa League.

Sa i përket ndeshjes në Moldavi, Partizani ka qenë superior duke dominuar takimin, ng qarkullimi i topit deri te rastet e krijuara. Në të 29`, Asani del bukur në qendër të zonës dhe i asistuar nga Solomon, shënon me të majtën duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Pjesa e parë nuk sjell ndryshim në rezultat, ndërsa në të dytën, ekuilibrat vendosen përsëri në fushë.

Ishte sulmuesi Ndiaje që mposhti Alban Hoxhën pas një goditje dënimi, duke shënuar nga brenda zonës, ndonëse me dyshime për pozicion. Megjithatë deri në fund të ndeshjes, Partizani u mundua të gjente golin e avantazhit, që do të mjaftonte për të vijuar më tej në Europa League, por miqtë u treguan të kujdesshëm duke mbrojtur barazimin 1-1.

Në këto kushte, me rezultatin e përgjithshëm 2-1, Sherif Tiraspol vijon më tej në turin  e tretë të Europa League, ndërsa Partizani bëhet skuadra e fundit që dorëzohet në kompeticionet evropiane, pas Kukësit, Teutës dhe Laçit.



Skip to toolbar