Tre vëllezër bëjnë për spital babë e bijë për pronën

AKTUALITET


Sherri për pronën mund të ishte kthyer në tragjedi, nëse policia nuk do të ishte lajmëruar në kohë. Tre familje janë përfshirë në një konflikt mes tyre për motive pronësie. Konflikti degjeneroi në përdorimin e dhunës fizike dhe mjeteve prerëse duke lënë të plagosur dy persona.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zall-Lusen të Kukësit, ku tre vëllezër kanë goditur me mjete të forta dhe prerëse shtetasin M. Ç., dhe vajzën e tij, shtetasen G. Ç., të cilët për pasojë kanë marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rreziku për jetën.


Në konflikt është përfshirë edhe familja e shtetasit D. C., i cili ka dhunuar dhe goditur me mjete të forta njërin prej 3 vëllezërve, shtetasin me iniciale R.L., 31 vjeç.

Policia ka arrestuar dy vëllezërit A.L., 38 vjeç dhe R.L., 31 vjeç si dhe shtetasin me iniciale D.C, 31 vjeç. Gjithashtu u shpall në kërkim vëllai i tretë A.L., 36 vjeç. Të arrestuarit do përballen me veprat penale  “Plagosje e rëndë me dashje, në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.




Skip to toolbar