Shitjet e gjigandit Tesla ranë me 13% në tremujorin e parë të këtij viti, tkurrja më e madhe e dërgesave në historinë e saj deri më tani. Kjo ka ardhur mes reagimeve kundër presidentit të kompanisë Elon Musk por edhe nga rritja e konkurrencës nga prodhuesit e tjerë të automjeteve elektrike.
Tesla shiti 336.6 mijë makina këtë tremujor, nga 386.8 mijë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Tesla është përballur me protesta jashtë godinave të kompanisë nga ata që kundërshtojnë veprimet e Musk në rolin e tij si kreu I Departamentit të Efikasitetit të qeverisë dhe politikave të presidentit Donald Trump.
Por, nuk kanë munguar as akte vandalizmi kundër objekteve të Teslas përfshirë stacionet e karikimit apo makinat. Të gjitha këto incidente të ndodhura mund të kenë dekurajuar blerës të mundshëm të Teslas.
Kjo rënie e shitjeve rezultoi shumë poshtë pritshmërive të analistëve, të cilët kishin parashikuar shitje për tremujorin deri në 350 mijë automjete. Rënia më e thellë ishte për Europën, me gati 49% sipas Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automobilave. Kjo sipas analistëve mund të lidhet edhe me mbështetjen e tij për partitë politike të ekstremit të djathtë në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Por, përtej polemikave politike, Tesla po përballet me goditje edhe për shkak të konkurrencës gjithë e në rritje nga prodhuesit e tjerë të automjeteve elektrike, veccanërisht ata kinezë. Kina është tregu më i madh i automjeteve elektrike dhe tregu i dytë më i madh I teslas pas shteteve të Bashkuara.
Pas zgjedhjeve presidenciale, aksionet e Teslas thuajse u dyfishuan në vlerë mes shpresës se lidhjet e ngushta të miliarderit Musk me Trump mund të rezultonin në politika më të dobishme për kompaninë. Por, që pas arritjes së nivelit më të lartë të të gjitha kohërave pak para Krishtlindjeve, aksionet e Teslas kanë humbur rreth 44% të vlerës së tyre deri më tani.