Shkarkimi i Metës, Manja: Do të ngrihet komision hetimor. Caktohen dy relatorët

Më të fundit


Komisioni për Çështjet Ligjore ka nisur të mërkurën shqyrtimin e kërkesës të firmosur nga 55 deputetë të Kuvendit për të shkarkuar presidentin e vendit Ilir Meta, pas dekretit të këtij të fundit për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ndërkohë që kreu i Komisioni të Ligjeve, Ulsi Manja ka deklaruar se do të ngrihet edhe një komision hetimor për dekretin e Metës. “Presidenti i Republikës është njoftuar nga Kryetari i Kuvendit. Do ta dëgjojmë Presidentin në Komision nëse dëshiron. Do të ngremë komision hetimor”, deklaroi Manja.

Për shqyrtimin e çështjes janë caktuar edhe dy relatorët, deputetë socialistë, ndërkohë që pritet përgjigjja e Metës nëse do të pranojë të flasë para komisionit.


Në këtë seancë, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka lexuar të gjitha shkeljet që ka bërë Presidenti Meta duke thënë se vendimi i tij është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën.

Në fjalën e tij Balla ka thënë se Askush nuk mund të shkeli rregulloren dhe për këtë arsye është kërkuar shkarkimi i tij.

“Askush nuk mund të shkeli rregulloren, nuk e shtyjmë dot. Kemi vetëm 15 ditë. Presidenti nxori dekretin për anulim të datës 30 qershor për zhvillimin zgjedhjet lokale. Me anulimin e datës, duke e konsideruar si shkelje të rëndë të kushtetues, kemi depozituar kërkesën për shkarkim. Dekreti vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese, pasi është cenuar rëndë sovraniteti i popullit”, ka thënë ndër të tjera Balla.

Ndërkohë, deputeti Ralf Gjoni kërkoi që procedurat e nisura për shkarkimin e kreut të shtetit të shtyhen pas 30 qershorit. Kërkesa e Gjonit u hodh në votim por nuk u miratua me votat e shumicës. Sipas Ballës, shtyrja e procedurave është thyerje e rregullave pasi 15 ditë janë mëse të mjaftueshme për të kryer gjithë procedurat e komisionit hetimor.

Më 24 qershor pritet vazhdimi i procedurës së shqyrtimit në një seancë diskutimi. Ndërsa me 26 qershor do të jetë dhe përmbyllja e procedurës së shqyrtimit dhe votimi i propozimit, çka do të pasojë me përgatitjen dhe përcjelljen e raportit seancës plenare.




Skip to toolbar