Arbër Cekaj është një emër i njohur për policinë shqiptarë i cili akuzohet për trafikun e mbi 600 kg kokainë në Shqipëri përmes bananeve. Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, emri i tij sërish ka dalë në media, por këtë herë nga drejtësia italiane.
Arbër Cekaj dyshohet se është dhe drejtuesi i një grupi kriminal i shkatërruar gjatë të martës në Itali që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Novaras . Gjatë aksionit u arrestuan 19 persona,7 prej tyre janë shqiptarë.
Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2 vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Cekaj ishte kryetari i këtij grupi kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Hetimet kanë nisur dy vite më parë, më 2017 pas arrestimit të shtetasit shqiptar Elton Shano, 38 vjeç me 3 kg kokainë e 1 pistoletë. Pak muaj pas arrestimit ai ka vendosur të bashkëpunoj me forcat e policisë e rrëfimi i tij ka ndihmuar në zbardhjen e një trafiku kokaine që jo vetëm tranzitonte në qytetin e Novarës, por dhe kishte një qendër magazinimi në këtë qytet.
Kokaina e cilësisë së pastër 95% trafikohej nga Kolumbia në Shqipëri e më pas transportohej në Novara. Kokaina furnizonte tregjet e shitjes së saj jo vetëm në Novara, por dhe në Alessandria, Bustio Arsizio, Massa Carrara e Pavia.