“Shkodra, njolla e zezë e kontrabandës”, Veliu shkund policinë

AKTUALITET


Drejtori i policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar një mbledhje me krerët e policisë së Shkodrës ku nuk kanë munguar kritikat dhe kërkesa e llogarisë, ku është vënë theksi tek lufta kundër krimeve të pronës, grabitjeve, fajdeve si dhe kontrabandës. Në analizën e punës, një mbledhje që është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe që ka zgjatur mbi dy orë, Veliu e ka cilësuar Shkodrën, një njollë të e zezë sa i takon kontrabandës, dhe ka kritikuar policinë që ka zbehur luftën kundër këtij fenomeni.

“Shkodra është një njollë e zezë sa i takon kontrabandës”, është shprehur Veliu, i cili shoqërohej në Shkodër nga Drejtori për Krimin e Organizuar Tonin Vocaj dhe Drejtori i Rendit Gjovalin Loka.


“Gjatë vitit 2018 kemi pasur 26 vepra penale sa  i përket kontrabandës. Kemi pasur ulje te fenomenit ne 2019-en. Ka rënë kontrabanda apo është paaftësi e juaja? Shkodra është një njollë e zezë në vend sa i takon kontrabandës”- është shprehur Veliu, i cili gjithashtu ka kërkuar luftë kundër fajdeve dhe krimeve ndaj pronës. Sipas Veliut lufta kundër krimit të organizuar është sfida për vitin 2020. Ai ka kërkuar që të dokumentohet gjithçka sa i takon krimit, ndërsa ka shtuar se duhet të angazhohen të gjithë strukturat e policisë vendore në Shkodër.

“Ne kompleks në të gjithë situatën ka shumë problematika. Kërkohet angazhim nga të gjitha strukturat. Dua ta ndaj ne dy pjesë, angazhim total për ngjarjet e rënda, por një neglizhencë për krimet kundër pronës.  Detyra jone është ta zbardhim çdo ngjarje, duhet vlerësim maksimal për veprat penale kundër pronës duke iu referuar rasteve te vjedhjeve dhe grabitjeve te cilat në të shumtën e rasteve janë neglizhuar. Parandalimi ne kontrollin e territorit”, tha ndër të tjera Veliu. Përveç kritikave ka pasur dhe një vlerësim për policinë e Shkodrës dhe kjo lidhet me menaxhimin e protestave të zhvilluara nga opozita gjatë vitit që lamë pas. “Përveç Tiranës edhe në Qarqe ka pasur protesta, më pas edhe menaxhimin e fushatës ku qe një fushatë e vështirë për përballimin nga policia së bashku me sezonin turistik ku ju falënderoj për punën e bërë”, tha Veliu.

Analiza e policisë se Shkodrës ka zgjatur rreth dy orë ndërkohë që është zhvilluar pa praninë e mediave.  Analiza e punës së policisë do të shtrohet edhe në qarqe të tjera.




Skip to toolbar