Për shkrimin e gazetës gjerman “Bild” ku e cilësonte Shqipërinë si një vend në kaos, protesta të dhunshme dhe që qeveriset nga gangsterët ishte një nga diskutimet me kryeministrin Rama në Opinion. Rama tha se nuk mund të komentojë një shkrim që është bazuar vetëm në burimet e Manjani dhe Collaku.
“Nuk kam me Bild-in asnjë gjë, këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Collaku, janë këta të dy që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti. Ka bërë një publikim bazuar në këto burime, shqiptarët e dimë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, gazetari i BILD ka marrë këto burime të shquara dhe unë nuk kam çfarë t’i them.” – tha Rama
Bild shkruan se më 11 shtator të vitit 2016, Rama i telefonoi kreut të një komisioni zgjedhor rajonal për të pyetur nëse zgjedhjet kishin shkuar ashtu siç ishte diskutuar. Përgjigja e drejtuesit të zgjedhjeve: Po, shef, gjithçka siç e kemi diskutuar. A është bërë kjo bisedë?
“Nëse nga dhjetëra e mijëra biseda që unë bëj ju më kërkoni diçka që unë nuk e gjej dot. Por kurrë nuk ka ndodhur që unë të merrem me këto pisllëqe të cilat kanë marrë përsipër t’i pastrojnë ata që janë shkaku kryesor i krijimit të këtij pisllëku. Unë nuk kam asnjë problem që të përballem me çdo lloj hetimi. Nuk mundet kurrë të shkëpusësh një fjali dhe të ngresh një kauzë.” – tha Rama