Shpërthimi në Liban, ekspertët amerikanë: Shkaku nuk mund të jetë nitrati

AKTUALITET


Shpërthimi i djeshëm në kryeqytetin e Libanit, Beirut, ishte lajmi kryesor në mediat ndërkombëtare, jo vetëm për bilancin tragjik, ku të paktën 80 persona kanë gjetur vdekjen dhe qindra të tjerë ndodhen në gjendje kritike, por edhe për përmasat vërtet shokuese të valës shkatërruese.

Me një forcë të ngjashme me një tërmet 3.3 të shkallës Rihter, shpërthimi u ndje deri në Qipro dhe shkatërroi ose dëmtoi godina në një rreze prej 10 kilometrash.


Shkaqet mbeten të mistershme. Kryeministri libanez Hassan Diab foli dje për një sasi të konsiderueshme nitrati të amonit që ndodhej nën sekuestro prej vitesh në disa magazina afër portit, rreth 2750 tonelata, por disa ekspertë amerikanë me eksperiencë në shpërthime të këtij tipi nuk duken të bindur se kjo lëndë është shkaku kryesor i tragjedisë. 

“Ai tymi ngjyrë rozë në të kuq nuk përkon me nitratin e amonit”, thotë për CNN Tony May, ekspert i lëndëve plasëse, që shton se prania e atij elementi duhet të shoqërohej me një ngjyrë të verdhë.

Robert Baer, ish-agjent i CIA me eksperiencë të gjatë në Liban, dakordëson me të. Ai thotë që në fillim të videos shihet një substancë që mund edhe të jetë nitrat amoni që po digjet, por më pas shpërthimi kishte natyrë tjetër.

“Shihni topin e zjarrtë të gjeneruar, ngjyrë portokalli, është padyshim diçka e lidhur me eksploziv ushtarak”, thotë Baer.

Ai është i bindur për praninë e eksplozivit, edhe pse pohon se për momentin nuk ka shenja të qarta që tragjedia ka qenë një sulm ose atentat i mirëfilltë.

“Mund të jetë aksident, por dikush duhet të thotë çfarë bënte aty ai material ushtarak. Askush në Liban do të pranonte praninë e atij materiali në zonën e portit. Ndoshta të vërtetën nuk do ta dimë kurrë”, përfundon ai.  




Skip to toolbar