Shtëpia e Bardhë: Dislokimi i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, shumë destabilizues

KOSOVA


Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin [e grumbullimit të trupave ushtarake serbe] nuk mund ta them tani”, tha ai.

Dislokimi i trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Për këtë sulm Kosova ka fajësuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.

“Një nivel i lartë sofistikimi në burime dhe trajnime”

Zyrtari i lartë amerikan u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse SHBA-ja ka dijeni nëse Serbia dhe Rusia janë të përfshira në sulmin në Banjskë dhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Beogradit.

“Është një hetim që po vazhdon. Ne duam ta respektojmë atë proces dhe duam që Serbia të marrë pjesë në hetim. E dyta, shkalla e këtij sulmi, numri i makinave të përfshira, llojet e municioneve dhe armëve, sigurisht aludojnë në një nivel të lartë sofistikimi në burime dhe në trajnime. Vetëm madhësia e tyre është shqetësuese. Nuk duket se disa burra u mblodhën dhe vendosën ta bënin këtë [sulmin] ad hoc. Kjo është shqetësuese”, tha Kirby.

Ai tha se është shqetësues armët që janë gjetur pas incidentit, që tha se janë të nivelit ushtarak, përfshirë granatahedhës dhe armë të tjera.

Kirby e përshkroi sulmin e 24 shtatorit si të koordinuar dhe të planifikuar mirë.

“Sulmuesit përdorën rreth 20 makina për të transportuar armët, që për nga sasia dhe sofistikimi janë alarmuese. Shumica e armatimit ishte e llojit ushtarak, përfshirë raketa kundërtanke, eksplozivë dhe pajisje taktike”.

“Ky nuk është një lloj sulmi që kryhet rastësisht, ad hoc, nga ndonjë grup i vogël. Sasia dhe lloji i armëve që u gjetën, paraqesin rrezik për sigurinë jo vetëm të personelit të Kosovës, por edhe atij ndërkombëtar, përfshirë edhe trupat e NATO-s”, tha ai duke shtuar se autorët e sulmit dhe ata që e planifikuan duhet të përballen me drejtësinë.

Kirby tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

Pas kësaj bisede, Vuçiq në një konferencë për media ka mohuar se ushtria serbe është në gatishmëri të lartë, duke thënë se ai nuk ka nënshkruar një vendim të tillë.

Kirby tha se SHBA-ja në bashkëpunim me aleatët evropianë po punon që Kosova dhe Serbia të kthehen në “dialogun paqësor të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.



Skip to toolbar