Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi është ndalur të flasë për mediat, pas përfundimit të seancës e cila zgjati vetëm 5 minuta për miratimin në parim të buxhetit për vitin 2024.
Ai u shpreh se Kuvendi nuk është krizë, por është Partia Demokratike në krizë.
“Parlamenti nuk është në krizë. Në krizë është PD” , tha ai shkurtimisht.
I pyetur nga gazetarët edhe për mos lejimin e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se ajo është një e drejtë kushtetuese e saj dhe se nuk janë ata që nuk po i lejojnë, por Gjykata Kushtetuse, e cila thotë se objekti duhet të plotësojë disa kushte specifike.
“Ke vargu i atyre që përmende shto edhe grupin e PS që thotë se është e drejtë kushtetuese ngritjen e komisioneve. Por sic ka thënë Gjykata Kushtetuese, duhet që objekti të plotësojë disa kushte. Të paktën 3 kërkesat e fundit të opozitës, të treja kërkesat kanë mangësi në objekt.
Konkretisht, objektet e komisioneve hetimore që ka kërkuar opozitë është një objekt i përgjithshëm dhe jo specifik. E dyta e drejta kushtetuese nuk e kthen automatikisht nuk e kthen parlamentit në një super organ.
Nëse plotësohen këto mangësi askush nuk e pengon” shtoi ai.
Çuçi tha jashtë Kuvendit se nuk flitet për buxhetin me tymuese dhe se opozita duhet të ishte duke diskutuar dhe duke paraqitur alternativa.
”E pamë edhe sot, e njëjta skenë, peizazh, me tymuese, karrige të hedhura, e vetmja e re sot, që shqiptarët duhet të kenë vëmendje është miratimi i buxhetit më të madh publik në historinë e këtyre dy viteve.
Janë 7 mld euro që është dyfishi i buxhetit të vitit 2013. Sot duhej të jepnin alternativat, nuk flitet me tymuese kur bëhet fjalë për buxhetin. Edhe sot pamë një skenar. Rritja më e madhe e pagave në histori.
Nuk do ta lëmë Shqipërinë pa buxhet, nuk ka krizë Shqipëria krizë është opozita, PD-ja”, – tha Çuçi për gazetarët.