Skadon ultimatumi/ Hamasi lëshon shi raketash mbi qytetin Ashkelon

BOTA


Ultimatumi skadoi. Një breshëri e madhe raketash u lëshuan nga Hamasi në Gaza në drejtim të qytetit izraelit, Ashkelon. Grupi i militantëve palestinezë njoftuan se kjo ishte një “përgjigje ndaj zhvendosjes së civilëve në Gaza”.

Sulmi masiv vjen pasi një zëdhënës i Hamasit lëshoi një paralajmërim për banorët e qytetit jugor izraelit që të largoheshin nga qyteti para orës 17:00, sipas orës lokale.

Një video e shpërndarë nga Hamasi tregoi raketa që fluturonin nëpër qiell me njerëz që kërkonin të mbroheshin me dëshpërim. Sirenat e alarmit kanë rënë në të gjithë Izraelin. Shteti hebre njoftoi se raketa janë lëshuar edhe nga Libani, gjë e cila nxiti reagimin me të njëjtën mënyrë nga forcat e Tel Avivit.

Ushtria e Izraelit thotë se më shumë se 4,500 raketa janë lëshuar që nga e shtuna. Gjithashtu njofton se po vazhdon të bombardojë Rripin e Gazës pasi goditi 200 objektiva gjatë natës, duke vrarë dhe dy zyrtarë të lartë të Hamasit, ndërsa zbuloi trupat e 1500 militantëve të vrarë.

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se sulmet janë vetëm fillimi në atë që e konsideroi një luftë ndaj ISIS-it të ri, Hamasit. Izraeli pretendon se ka siguruar kufirin me Rripin e Gazës, pas rrethimit të madh dhe me lagje të rrafshuara plotësisht.

Hamasi njoftoi gjatë ditës se nuk do të negociojë për pengjet që ka marrë nga Izraeli deri në “fundin e betejës”. Bilanci i jetëve të humbura është tepër tragjik dhe vijon të përkeqësohet: në Izrael raportohen mbi 1 mijë persona të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur, nga palestinezët të vrarët janë më shumë se 800 dhe të lënduarit me mijëra.



Skip to toolbar