Opozita kërkonte destabilizim para zgjedhjeve të 30 qershorit dhe gjithë lufta e tyre bëhet për të mbrojtur veten pasi janë nën akuzë. Kështu është shprehur të mërkurën avokati i njohur Spartak Ngjela në një intervistë televizive. Ngjela thotë se beteja e opozitës dhe e disa politikanëve duke nën kuptuar këtu edhe presidentin Meta, nuk ishte për votën e lirë, por ishte për ekzistencën e tyre, pasi janë të gjithë nën akuzë. Por Shqipëria shpëtoi nga rreziku i destabilizimit për shkak të Amerikës, thotë Avokati,
“Shteti ishte në rrezik në 30 qershor. Nuk ishte një betejë për votën e lirë, por ishte një betejë për shtetin, do ta shkatërronte korrupsioni i ngritur në reformë shtetin apo jo. Evitimi i këtij rreziku ishte meritë e politikës amerikane.
Politika amerikane e ka nisur këtë proces antikorrupsion në Shqipëri dhe do ta çojë deri në fund, ne nuk e bëjmë dot këtë. Ata kanë provat.
Sa herë këta bëjnë gjullurdira, ata nxjerrin provat. Këta janë të gjithë në akuza. Këta luajnë për ekzistencën e tyre dhe donin destabilizim, por kjo nuk i interesonte politikës amerikane”, tha Ngjela.
I pyetur për datën 13 tetor të dekretuar nga presidenti Meta për të zhvilluar zgjedhje lokale, Ngjela thotë se do të ishte marrëzi ta njihje këtë datë.
“13 tetor nuk mund të ketë. Nëse do të flisja për 13 tetorin, atëherë hyja dhe unë në marrëzi. Shqipëria e pas 30 qershorit është më e fortë”, shprehet avokati.
Përsa i përket akuzave, me ndihëm dhe me presionin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve ka nisur puna për ngritjen sa më parë të SPAK, njësisë hetuese antikorrupsion që do të vërë në pranga politikanët e lartë. Prej disa ditësh kanë nisur intervistat intensive me 22 kandidatët për anëtarë të SPAK. Intervistat do të përfundojnë në datën 12 korrik dhe fill pas kësaj nis procesi i pikëzimit të kandidatëve dhe prej tyre do të zgjidhen 15 anëtarë që do të përbëjnë SPAK. Me ngritjen e tij nis hetimi i akuzave për politikanët e korruptuar dhe vënia e tyre para drejtësisë ashtu sikurse e kërkojnë ndërkombëtarët.