Skënder Gega analizon Partizanin pas fitores së titullit!

SPORT


Partizani është zyrtarisht Kampion i Shqipërisë për këtë sezon, me titullin që u sigurua matematikisht në ndeshjen derbi ndaj Tiranës. Trajneri Skënder Gega ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së radhës në kampionat, duke komentuar fillimisht çështjen e festës së titullit kampion.

“Çdo ditë po bëhet edhe më e vërtetë ajo që kemi arritur. Kishim emocione pas ndeshjes. Ndoshta dukej e pabesueshme. Sot jemi më të qetë dhe kemi punuar gjatë javës. Nuk ka mbaruar asgjë. Të shohim përpara. Kemi plane, kemi një ide që këtë javë të luajnë ata që nuk kanë pasur hapësira të luajnë. Kanë dhënë kontributin e tyre edhe ata. Impenjimi ka qenë maksimal, veç Alban Hoxhës që e kemi lënë pushim për shkak të probleme shëndetësore”.


Pavarësisht se titulli tashmë është çështje e kryer, Gega tregon se Partizani do të vijojë të luajë futboll njësoj edhe në ndeshjet e mbetura. Ndërsa gjatë fjalës së tij ka komentuar edhe të ardhmen personale te Partizani.

“Shkojmë në Durrës për të luajtur futboll, nuk kemi presionin e dështimit. Përfaqësojmë Partizanin dhe do luajmë me dinjitet. Fusha do tregojë kush e meriton fitoren”.

“Do ulem me presidentin dhe drejtorin dhe do flasim. Pa zbehur vlerat e askujt, do shikojmë të jemi të kujdesshëm që ata që nuk kanë pasur hapësira të luajnë. Nuk varet e ardhmja e tyre, duam t’u japim kënaqësinë e asaj qe kemi arritur. Nëse nuk kanë luajtur, do të thotë që ka pasur diferenca. Kualiteti është i pari. Ata që kanë luajtur më shumë kanë treguar se kanë qenë më të denjë”.

Gega mundohet të jetë i përmbajtur kur flet lër merkaton, duke shtuar se grupi aktual duhet të respektohet.

“Kur e kam nisur, baza ka qenë. Nuk ishte brilante, pasi kemi pasur probleme. Edhe Ibrahimi që u tha se ishte ne limite, u rrit dhe korrigjoi veten. Ndërhyrjet nuk do jenë drastike. Nuk është vetëm Championsi sezoni ynë, punojmë për të ardhmen. Nuk do tentojmë të bëjmë spektakël. Kemi nevojë për afrime, sikurse Reali dhe Barcelona”.

“Kam dëshirë që ky grup të respektohet. Po të ishte për mua, do i mbajmë të gjithë. Sezoni i ardhshëm do jetë ndryshe, do na presin si kampionë. Kam lexuar emra, por asnjë nuk është në lupën time apo të kemi bërë biseda. Nëse bashkohet dëshira dhe mundësitë, pse jo. Shitjet? Nëse një lojtar fiton titullin pas 26 vitesh dhe merr një ofertë shumë të mirë, do e mbështesja. Gjithsesi ka marrëveshje mes tij dhe klubit, janë të tjerë që drejtojnë”.

Në fund trajneri i Partizanit ka folur edhe për heroin e derbit dhe të titullit, Erald Çinari: “Nuk ka pasur asnjë problem. Është një garë që luajnë 11 deri në 14 lojtarë. Lojtarët kanë marrë pjesët e veta. Nëse te Vllaznia ka pasur hapësirë, është ndryshe këtu. Partizani nuk është Shkodra, që është në Kategorinë e Parë. Ka qenë 19 vjeç kur ka luajtur atje. Ka ardhur i mirëpritur”.

“Jemi të kënaqur për atë që ka bërë. I duruari i fituari. Gjërat nuk merren të shkëputura. Nuk ka as marrëveshje për minuta. Nëse bën më mirë se shoku, do luash nga fillimi. Për fat të mirë kushdo që ka luajtur ka bërë mirë”.




Skip to toolbar