Me ardhjen e pushimeve dhe rritjen e numrit të turistëve duket se edhe “skifterat” kanë nisur punën e tyre. Vetëm gjatë natës së të shtunës janë regjistruar disa raste vjedhjesh dhe arrestimesh në qytetet të ndryshme të vendit.
Një banesë është grabitur gjatë natës në fshatin Turhan në Tepelenë. Hajdutët kanë thyer derën dhe janë futur në banesë duke marrë një shumë të konsiderueshme parash. Banesa është në pronësi të shtetasit me iniciale G.H. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Një tjetër vjedhje ka ndodhur në Vlorë, ku dy persona janë arrestuar, pasi kanë hyrë për të vjedhur një lokal. Autorët thyen derën e lokalit në lagjen “Kushtrimi’ në pronësi të shtetasit H.S., për të vjedhur por janë arrestuar në flagrancë nga policia. Në pranga kanë rënë shtetasit A. M., 32 vjeç dhe E. S., 27 vjeç, banues në Vlorë.
Edhe Saranda shënoi një rast vjedhje në lagjen nr. 1. Një person është arrestuar në flagrancë duke vjedhur një motor. Në pranga ka rënë një 32-vjeçar nga Ksamili, i cili është kapur në momentin që po tentonte të vidhte motorin e markës “Skygo” në pronësi të shtetasit A. Z.