Gazetari i njohur Sokol Balla të martën mori pjesë në Forumet e UET, në kuadrin e një bashkëpunimi 10 vjeçar me shtëpinë botuese të Universitetit Europian të Tiranës, UET Press. Para të pranishmëve, pedagogë dhe studentë, Balla foli për mundësinë e një pasuesi të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para të pranishmëve, me nota ironike, ai theksoi se shoqëria shqiptare ka një fat të madh për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve në PD, pasi kur nuk flet z.Basha, flet z.Berisha.
“Kemi një fat të madh që kur nuk flet Basha, flet Berisha dhe ne i kuptojmë gjërat. Siç foli para një jave dhe na tha që ndryshe nga çfarë tha z.Basha, djegia e mandateve nuk ishte fare punë e tij por ishte një punë e nisur prej ish-Kryeministrit”, tha Balla.
Sipas tij, tek vetë promotorët e Basha kanë filluar të lindin jo thjesht zhgënjimet e para, sepse këto Berisha duhet t’i ketë të vjetra me të, ndoshta nga 2007, por prej këtij viti e mbrapa po punohet edhe në kokën e doktorit të partisë ideja që duhet të ketë edhe një pasues të Basha në PD.
Balla thekson se kjo është normale për logjikën e një partie të madhe, historike, tradicionale, konservatore dhe ideologjike siç është PD, e cila ka një “ADN” që është e Sali Berishës dhe që mendohet të ketë edhe një pasues të Lulzim Bashës, për të cilin nuk do të mendojë vetëm ky i fundit, por edhe “babai” i partisë: Sali Berisha.
“Pavarësisht shumë pamundësive që Lulëzim Basha ka në partinë e tij për të shprehur profilin e tij të vërtetë politik, mendoj që beteja është ende e hapur. Nuk mund të thuhet me siguri, edhe nga dashakeqësi i tij më i madh, se ai ka dështuar përfundimisht, por ju them me siguri, nga një person që është relativisht në nivel edhe personal dashamirës ndaj zotit Basha, që jam unë, që po, Partia Demokratike dhe pronari i “ADN”-së së saj, patjetër po mendon për një pasues tjetër, nëse Basha nuk do të arrijë dot të realizojë misionin e tij”, tha Balla./Liberale/