Këshilli i Lartë Gjyqësor skualifikoi nga gara për anëtar të Gjykatës së Lartë, kandidatin Theodhori Sollaku. KLGJ nuk jep arsyen se pse e skualifikoi Sollakun nga gara, por gjasat janë që ky vendim të ketë lidhje me faktin se Theodhori Sollaku shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë nga viti 2002 deri në vitin 2007.
Duket se në këto rrethana, pa dhënë shpjegime, KLGJ nuk pranon një kandidat i cili dikur ishte pjesë e sistemit të drejtësisë në pozita drejtuese. Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i jep mundësi Sollakut të ankimojë vendimin brenda 5 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit.
Ish-Kryeprokurori vinte si kandidat nga radhët e juristëve të spikatur, i cili synon të rikthehet përsëri në radhët e sistemit të drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë. Aktualisht kanë mbetur në garë shtatë kandidatë: Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ardita Alsula.
Gjithsej në garë ishin 22 kandidatë të cilët aplikuan pranë KLGJ për Gjykatën e Lartë, por në përfundim të vlerësimit mbetën 8, një prej të cilëve është Thedhori Sollaku, që do të duhet të pres Apelin për vendimin përfundimtar. Ndërkohë, në vendimet e mbledhjes së datës 22 tetor, KLGJ konfirmoi si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë gjyqtarin Florjan Kalaja dhe zgjatjen e mandatit të komandimit me 1 vit./Realstory.al/