Gjykata e Lartë, Sollaku skualifikohet nga gara

Këshilli i Lartë Gjyqësor skualifikoi nga gara për anëtar të Gjykatës së Lartë, kandidatin Theodhori Sollaku. KLGJ nuk jep arsyen se pse e skualifikoi Sollakun nga gara, por gjasat janë që ky vendim të ketë lidhje me faktin se Theodhori Sollaku shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë nga viti 2002 deri në vitin 2007.


Duket se në këto rrethana, pa dhënë shpjegime, KLGJ nuk pranon një kandidat i cili dikur ishte pjesë e sistemit të drejtësisë në pozita drejtuese. Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i jep mundësi Sollakut të ankimojë vendimin brenda 5 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit.

Ish-Kryeprokurori vinte si kandidat nga radhët e juristëve të spikatur, i cili synon të rikthehet përsëri në radhët e sistemit të drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë. Aktualisht kanë mbetur në garë shtatë kandidatë: Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ardita Alsula.


Gjithsej në garë ishin 22 kandidatë të cilët aplikuan pranë KLGJ për Gjykatën e Lartë, por në përfundim të vlerësimit mbetën 8, një prej të cilëve është Thedhori Sollaku, që do të duhet të pres Apelin për vendimin përfundimtar. Ndërkohë, në vendimet e mbledhjes së datës 22 tetor, KLGJ konfirmoi si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë gjyqtarin Florjan Kalaja dhe zgjatjen e mandatit të komandimit me 1 vit./Realstory.al/


Gjykatën e Lartë e presin 22 mijë dosje për gjykim

Ashtu si Gjykata Kushtetuese edhe Gjykata e Lartë ndodhet jashtë funksionit, duke bërë që dosjet që pritet të shytohen të arrijnë një numër rekord. Gjykata e Lartë është jetike dhe e rëndësishme për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe numri i çështjeve për gjykim në këtë gjykatë është i lartë. Situata është bërë edhe më e vështirë me procesin e vettingut nga drejtësia e re duke ndaluar përkohësisht punën e saj deri në rivlerësimin e të gjithë kandidatëve. Kjo ka bërë që numri i çështjeve të jetë mbi 22 000, që përkthyer në kohë do të duken mbi 17 vite që të jepet një vendim për të gjitha. Qytetarëve do u duhet të presin deri në 2036 për të marrë përgjigje për çështjen e tyre.


Kjo është bërë e ditur në raportin e fundit të KLGJ, që është siguruar nga Report TV. Në raportin e KLGj thuhet se situata pritet të bëhet me rëndë ku në Gjykatën e Lartë pritet të mbërrijnë mbi 31 000 dosje të tjera nga apelet. Mungesa e gjyqtarëve, për shkak të shkarkimit nga Vettingu apo edhe largimi i tyre, ka bërë që këto dosje të kenë vonesa në gjykim dhe publikim vendimi duke e vështirësuar edhe më shumë situatën.

Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me një anëtar, Ardian Dvorani, nga 19 anëtarë që ka në përbërjen e vet kjo gjykatë. E gjithë kjo situatë ka ndodhur për shkak të procesit të vettingut, ku shumica e tyre janë shkarkuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon me ritme të shpejta për funksionim e Gjykatës së Lartë, ku tashmë ka bërë edhe përzgjedhjen e 8 kandidatëve për plotësimin e 3 vendeve vakante nga radhët e jo gjyqësorit.



Gjykata e Lartë, drejt krijimit, 8 veta në garë

Gjykata e Lartë, një nga institucionet kyçe të drejtësisë që prej kohësh është në ngërç, duket se shumë shpejt do të jetë afër krijimit dhe funksionimit të saj. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor u bë edhe verifikimi i 22 kandidaturave që kishin aplikuar për të plotësuar 3 vendet vakante nga radhën e jo-gjyqtarëve. Nga këto 22 kandidatura KLGJ vendosi që 13 kandidatë të skualifikohen pasi nuk plotësonin dot kriteret formale si diplomimi, mos mbajtja e poste politike në 10 vitet e fundit, të kenë një eksperiencë juristi të paktën me 15 vjet etj., ndërsa një prej tyre ka dhënë dorëheqjen.


Kjo ka bërë që në garë të mbeten 8 kandidatë të tjerë, mes të cilëve do të përzgjidhen 4 emrat që do të plotësojnë 3 vendet vakante në radhët e jo-gjyqtarëve. Pas përgatitjes së listës më 4 emrat e kandidatëve ato do i çohen presidentit Meta për dekretim. Sipas ligjit, Gjykata e Lartë duhet të jetë funksionale me 19 anëtarë, ku 16 prej tyre janë gjyqtarë karriere ndërsa 3 vijnë nga shoqëria civile, avokatia dhe jurist me mbi 15 vite punë. Plotësimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka nisur me aplikimin për 3 vendet vakante që vijnë nga radha e jo-gjyqësorit.

8 kandidatët e kualifikuar për vendet vakante të Gjykatës së Lartë janë: Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Theodhori Sollaku, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda, Ardita Alsula


Ndërsa 13 kandidatët e skualifikuar nga gara janë: Segjio Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sulaj, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Vjosa Bodo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj, Altin Bindaj dhe ka dhënë dorëheqjen e saj nga gara, Irena Nino.

Mes emrave të njohur që vijojnë garën janë ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, por edhe Sokol Sadushaj, drejtori i Shkollës së Magjistraturës.

Gjykata e Lartë aktualisht ka vetëm një anëtarë Ardian Dvoranin, kuorum i papërfillshëm për të marrë vendime, pasi anëtarët e tjerë nuk arritën dot të kalonin procesin e vettingut. I fundit që u shkarkuar nga vettingu në Gjykatën e Lartë ishte Xhezair Zaganjori, i cili nuk e kaloi dot fazën e dytë të vettingut.

Ngritja e Gjykatës së Lartë është jetike për drejtësinë dhe kjo është theksuar disa herë edhe nga ndërkombëtarët, që ky institucion të nis punën e tij sa më parë, ndërsa kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale në shtator.

Më herët Naureda Llagami vendosi të krijojë një trup gjyqësore të përkohshme për të shqyrtuar disa nga çështjet e nxehta që lidheshin me ekstradimet. Nëse këto çështje nuk shqyrtoheshin në kohë,  të arrestuarit mund të liheshin të lirë për përfundim afati të hetimeve ndaj tij. Për të shmangur këtë situatë u caktua një trup gjyqësore me dy anëtarë të përkohshëm që së bashku me Ardian Dvoranin shqyrtuan këto dosje. Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor, anashkaloi presidentin Meta, në lidhje me emërimet në Gjykatën e Lartë, i cili është institucioni që bën propozimet për emërimet e gjyqtarëve në këtë gjykatë. /RealStory


Gjykata e Lartë drejt “Rilindjes”. Kalojnë ‘sitën’ e prokurorisë 22 kandidatët

Gjykata e Lartë po shkon drejt krijimit përfundimtar. Sipas një lajmi publikuar nga Report Tv, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimin për 22 kandidatët që do të garojnë për 3 vende si anëtar të Gjykatës së Lartë. Kandidatët vijnë nga radhët e gjyqësorit, ndërsa dosjet e tyre tashmë i janë dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor.


Dokumentet për 22 kandidatët, që do të garojnë për t`u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë, i janë dorëzuar KLGJ-së në datën 2 shtator, ndërsa e enjtja më 5 shtator ishte afati i fundit. Ka qenë prokurori Adnan Xholi, ai që ka firmosur dokumentet për 22 kandidatët, duke vërtetuar se nuk është konstatuar asnjë masë gjyqësore ndaj kandidatëve në vitet e fundit.

Pasi u zyrtarizuan 22 emrat për kandidatë në Gjykatën e Lartë, KLGJ nisi procesin e Vettingut për ta, ndërsa hetimi është kryer edhe nga ILDKPKI dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, dokumentet e të cilëve gjithashtu pritet të dorëzohen deri të enjten në KLGJ. Sipas ligjit, Gjykata e Lartë duhet të jetë funksionale me 19 anëtarë, ku 16 prej tyre janë gjyqtarë karriere ndërsa 3 vijnë nga shoqëria civile, avokatia dhe jurist me mbi 15 vite punë.


3 anëtarët e parë që do të zgjidhen do të jenë ata që vijnë jashtë sistemit të drejtësisë.  Në listën me 22 kandidatë, ka emra që më herët kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, siç është rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës etj.

Lista me 22 kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë

Sergjio Mazreku

Ndue Pjetra

Ergys Misha

Jetmira Rragami

Aldona Sulaj

Jordan Daci

Lindita Troja

Alma Loci

Hermina Albunesa

Rezarta Melo

Agron Malaj

Ervin Pupe

Theodhori Sollaku

Irena Nino

Vjosa Bodo

Shaqir Hasanaj

Kestrin Katro

Sokol Sadushaj

Ilir Panda

Ardita Buna

Anton Lleshaj

Altin Binaj


SHBA kërkon Gjykatën e Lartë. Mesazhi i qartë i Palmer për Metën dhe Bashën

SHBA-të kërkojnë me ngulm ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë. Kjo është kërkesa primare, të cilën zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer e përsëriti jo pak, por 3 herë në intervistën dhënë të enjten për VOA.


“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”, u shpreh Palmer, ndërsa theksoi më tej se kjo gjykatë do t’i shërbejë vendit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike brenda këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë.

Ai gjithashtu theksoi se “ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit”.


Ky mesazh i qartë i Palmerit duket se i drejtohet presidentit Meta dhe opozitës që mbështet të drejtën e presidentit për të përzgjedhur dhe emëruar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë. Meta pak kohë më herët sulmoi hapur misionin ndërkombëtar të EURALIUS i cili propozoi emërimin e anëtarëve të përkohshëm, në Gjykatën e Lartë, të cilët kanë kaluar procesin e vettingut. Sipas presidentit, kjo zgjidhje e propozuar nga nga misioni ndërkombëtar i BE-së është në shkelje të Kushtetutës, pasi anëtarët e kësaj gjykate duhet të propozohen nga presidenti Meta. (Kujtojmë se propozimet e Metës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pas një verifikimi të bërë nga realstory rezultonin të shkarkuar nga vettingu).

Edhe Partia Demokratike i ka dalë në krah presidentit për këtë çështje dhe  ka reaguar pas caktimit të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. PD e cilëson këtë vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor në kundërshtim me Kushtetutën.

“Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës”, thuhej në deklaratën e PD-së.

Pra si presidenti ashtu edhe opozita kanë një qëndrim bllokues ndaj përpjekjeve të KLGJ-së për të bërë funksionale Gjykatën e Lartë që siç duket qartë është një nga kërkesat primare të SHBA-së.

Sistemi i ri i Drejtësisë, i mbështetur nga ndërkombëtarët,  po përpiqet me të gjitha mënyrat që ta bëjë funksionale këtë gjykatë edhe duke zgjedhur gjyqtarë të përkohshëm që kanë kaluar vettingun dhe janë konfirmuar në detyrë; një zgjidhje kjo që do të zhbllokonte edhe çështje që kanë të bëjnë me ekstradimin (mos valle mund të prekë edhe Bashën i cili është nën hetim në SHBA?)

Pra Palmeri përmes deklaratës së tij la te kuptonte se: Ne e dimë që ju po përpiqeni të sabotoni vënien në punë të Gjykatës së Lartë, por ne e kemi aty fokusin dhe nuk do t’ju lejojmë që ta bllokoni. Përkundrazi do ta ngremë sa me shpejt se na duhet në punë….

Në fakt e vërteta është se Gjykata e Lartë me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare do të jetë funksionale në shtator. Lajmi është bërë i ditur pak kohë më parë nga kryetarja e KLGJ, Llagami, ndërkohë që KLGJ ka vendosur së fundi të caktojë katër gjyqtarë të përkohshëm për Gjykatën e Lartë, duke çuar përpara procesin për ngritjen e këtij institucioni./Realstory.al


Arjana Fullani braktis drejtësinë për të shmangur vetingun

Vijojnë ‘dezertimet’ në nivelet më të larta të drejtësisë shqiptare, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është gjyqtarja e pestë e lartë, që largohet nga sistemi i drejtësisë, duke mos pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit. Zonja Fullani u emërua në Gjykatën e Lartë në korrik të vitit 2008 nga Partia Demokratike, ndërsa u dekretua nga Bamir Topi, në atë kohë President. Në korrik të vitit 2017, Fullani u largua nga Gjykata e Lartë, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë pa limit kohor, deri kur të zëvendësohej. Pavarësisht largimit nga Gjykata e Lartë, Fullani, sipas KPK, nuk e humbi statusin e magjistrates, pasi kishte të drejtë të shërbente si gjyqtare në Gjykatën e Apelit.


Për rrjedhojë, në datën 15 mars të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përzgjedhur zonjën Fullani më anë të shortit për t’iu nënshtruan procesit të Vetingut. Por, sipas një vendimi që ka siguruar Shqiptarja.com, Arjana Fullani, në 30 prill të 2018, i ka dërguar një shkresë KPK, ku njoftonte se nuk ka paraqitur kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe se ka filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit. Në këto kushte, ajo ka vlerësuar se statusi i saj si gjyqtare ka mbaruar. Ndërkaq, Komisioni i Vetingut, me një shkresë drejtuar Arjana Fullanit, ka vlerësuar se, megjithëse znj. Fullani i ka mbaruar mandati si anëtare të Gjykatës së Lartë, ajo për shkak të ligjit vijon të gëzojë statusin e magjistrates. Fullani i është drejtuar sërish Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar pushimin/ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak se pretendonte se nuk është subjekt i Vetingut.

Gjatë kësaj beteje me shkresa, Komisioni i Vetingut ka vënë në lëvizje Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nga ana e tij, KLGJ i është drejtuar znj. Arjana Fullani duke i kërkuar konfirmim për të drejtën e saj për t’u caktuar në një pozicion nivel apeli. Me shkresën e datës 08.04.2019, znj. Arjana Fullani ka konfirmuar faktin se “nuk dëshiron të emërohet si gjyqtare në nivel Apeli as tani dhe as në të ardhmen”. Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën e datës 25.04.2019 informoi Komisionin e Vetingut se ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, znj. Arjana Fullani. Pas këtij vendimi, KPK ka vendosur që të ndërpresë Vetingun për Arjana Fullanin. Vendimi është marrë ditën e enjte, 25 korrik. “Komisioni çmon se, subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta për dorëheqje. Ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe si rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në vendim.


Një pjesë e pasurisë së Arjana dhe Ardian Fullani

Shtëpi banimi (2+1), ndërtuar më 1966, sipërfaqja 100 m2, Rruga Reshit Çollaku (2003).

Shtëpi banimi (2+1), ndërtuar në vitin 1998 me sipërfaqe 90 m2, në Golem Kavajë, shuma 2 milionë lekë (2003).

Shtëpi banimi plus garazh, me sipërfaqe 335 m2, Kulla e Re pranë ambasadës amerikane, shuma 21.2 milionë lekë (2003).

Përfituar 285 mijë euro përmes kontratës së shitjes së tokës në Farkë. Toka është shitur nga Arjana, Ardian, Fiona dhe Erik Fullani (2015).

Shtesë në llogari bankare, 42 mijë euro.

Shlyerje detyrimi ndaj Shoqërisë Epidam Shpk, për pronotim të apartamentit të banimit, Mali Robit, Golem Kavajë të deklaruara në vitin 2008, në shumën 40.000 euro (2009).

Blerje toke arë në Farkë Tiranë, me sipërfaqe 3.800 m2, 220.000 euro (2008).

Dhënë me qira një personi fizik, 118.000 euro (2008).

Të ardhura nga shitja e tokës, kësti i parë, 38 503 euro.

Ardian Fullani ka blerë bono thesari me vlerë 15 000 000 lekë me paksimin e llogarisë së shënuar më lart (2015).

Djali, Erik pronar me 50 % i një apartamenti në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhuratë nga prindërit (2014).

Vajza, Fiona, pronare me 50 % e një apartamenti në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhuratë nga prindërit(2014).

Djali, pronar me 50 % i një garazhi në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhuratë nga prindërit (2014).

Vajza, pronare me 50 % e një garazhi në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhuratë nga prindërit (2014).

Djali, pronar me 50 % i një shtëpie banimi dhe trualli në Qerret të Kavajës, dhuratë nga prindërit (2014).

Vajza, pronare me 50 % e një shtëpie dhe trualli në Qerret të Kavajës, dhuratë nga prindërit.

Shlyerje detyrimi për arsimimin e djalit 3 mijë e 132 euro dhe 540 mijë lekë (2010).

Shlyerje detyrimi për arsimimin e vajzës 15 mijë euro (2010).

Shtesë në llogarinë bankare në Intesa Sanpaolo Bank, shuma 4.605.196 lekë dhe 3.570 lekë (2009).

Pakësuar nga huadhënia e deklaruar më parë, shuma 4.500.000 lekë (2009).

Të ardhura nga paga dhe shpërblime si guvernator i BSH, shuma 6.298.248 lekë (2009).

Honorare, Këshilli Mbikëqyrës i 2.737.800 lekë (2009).

Pronotim për apartament banimi me adresë Mali Robit me Shoqërinë “Epidam” Shpk, me deklaratë noteriale datë 26.3.2008, duke shlyer 50.000 euro, bashkëpronar së bashku me bashkëshorten, 50.000 euro

Toka arë sipërfaqe 840 m2 në të cilën bën pjesë truall 250 m2 dhe ndërtesë 80 m2 me adresë Farkë e Madhe, blerë me 17.12.2008, në shumën 8.000.000 lekë, paguar 2.000.000 lekë diferenca do të jepet në përfundim të procesit të regjistrimit të ZRPP Tiranë, shuma 8.000.000 lekë (2008).

Shtesë në llogarinë bankare në Bankën Amerikane, 13 072 012 lekë (2007).

Shtesë në depozitën bankare 249 388 lekë, 120 000 lekë dhe 6 314 USD (2007).

Kthim huaje nga peron fizik, 6 700 000 lekë (2007).

Shitje shtëpi banimi në plazh Golem, Kavajë, 67 900 euro (2007).

Shtesë e depozitave në valutë 2.691 USD, 6.149.749 lekë dhe 74.719 lekë (2006).

Kursime me CESH 2.000.000 lekë (2006).

Shtesë në llogarinë rrjedhëse në BIA 165.988 USD (2005).

Shtesë llogarie rrjedhëse në BIA 4.120.281 lekë (2005).

Pakësim nga huaja e dhënë motrës në Kanada, 15.000.000 lekë (2005).

Llogari bankare në bankën Italo-Shqiptare, 7.000.000 lekë (2004).

Llogari në bankën Alpha-Bank, 1.500.000 lekë (2004).

Llogari bankare në Tirana Bank, 7000 USD (2004).

CASH, vlera 1.000.000 lekë (2004)/shqiptarja.com


Pas shkarkimit të Zaganjorit, nis funksionimin Gjykata e Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka hapur rrugë zgjidhjes së ngërçit për ngritjen e Gjykatës së Lartë. Të premten është hedhur shorti për caktimin e dy gjyqtarëve të përkohshëm, që do të bëjnë të mundur gjykimin e çështjeve që lidhen me ekstradimet. Albana Boksi dhe Sokol Binaj janë dy gjyqtarët e caktuar, që do të plotësojnë treshen e Gjykatës së Lartë së bashku me Ardian Dovranin, që tashmë do të ketë edhe rolin e kryetarit të kësaj gjykate, pas shkarkimit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Zhezair Zaganjorit.


Në këto kushte, trupa e re gjykuese me tre anëtar do të gjykojë fillimisht disa dosje të rëndësishme që lidhen me çështjen e ekstradimit. Në fakt, këto dosje janë nga më problematiket në Gjykatën e Lartë, pasi nëse nuk gjykohen në afat dhe nuk merret një vendim, çështja mund të pushohet dhe masa e “arrestit me burg” bie, duke bërë që personi që pret ekstradimin të lihet i lirë. Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi formulën e re, duke vendosur emërimin e gjyqtarëve të përkoshëm në Gjykatën e Lartë, për gjykimin e dosjeve të “nxehta”, derisa të bëhet funksionimi normal i kësaj gjykate.

Në këto kushte, me vendimin e të premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor, anashkalon zyrtarisht Ilir Metën, në lidhje me emërimet në Gjykatën e Lartë. Presidenti i Republikës është institucioni që bën propozimet për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, vendimi të premtes nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, erdhi vetëm disa orë, pasi Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi të shkarkonte Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Në këto rrethana, vendin e tij në këtë post e merr Adrian Dovrani.



Gjykata e Lartë drejt krijimit, në garë 21 kandidatë

Gjykata e Lartë prej kohësh është në ngërç duke funksionuar vetëm me dy anëtarë, pasi të tjerët nuk arritën dot të kalonin procesin e vettingut ose dhanë dorëheqjen duke u larguar përfundimisht nga drejtësia. Ngritja e saj është jetike për drejtësinë dhe kjo është theksuar disa herë edhe nga ndërkombëtarët, që ky institucion të nis punën e tij sa më parë. Më herët edhe Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale në shtator, ndërsa hapi edhe garën për përcaktimin e anëtarëve jo-gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Kriteri kryesor ishte që kandidatët të mos ketë mbajtur poste politike në 10 vitet e fundit dhe duhet të jenë juristë me së paku 15 vjet eksperiencë.


Gara e hapur më 9 korrik për të plotësuar vendet vakante u mbyll më 24 korrik dhe në të aplikuan plot 21 kandidatë, nga ku do të zgjidhen 4 prej tyre dhe më pas do t’i çohen presidentit Meta për dekretim.

Lista e plotë e kandidatëve u bë publike nga Report TV që numëron 21 kandidatë jo-gjyqtarë që mund të jenë të jenë juristë, prokurorë, ish prokurorë. Në garë për anëtarë jo–gjyqtarë të Gjykatës së Lartë janë:


Sergjio Mazreku

Ndue Pjetra

Ergys Misha

Jetmira Rragami

Aldona Sulaj

Jordan Daci

Lindita Troja

Alma Loci

Hermina Albunesa

Rezarta Melo

Agron Lamaj

Ervin Pupe

Theodhor Sollaku

Irena Nino

Vjosa Bodo

Shaqir Hasanaj

Kestrin Kato

Sokol Sadushaj

Ilir Panda

Ardita Buna

Anton Lleshaj

Nga këto kandidatë do të zgjidhen vetëm 4 emra ose 1/5 e trupës prej 19 anëtarësh të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm dy anëtarë Xhezair Zaganjorin që ende nuk ka vendosur Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Ardian Dvoranin, që kaloi vettingun.


Kalon ‘Vettingun’ këshilltarja në Gjykatën e Lartë, emërohet gjyqtare

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar këtë të mërkurë se subjekti i rivlerësimit, këshilltarja në Gjykatën e Lartë, Maela Alicanaj ka kaluar “Vettingun”, duke u konfirmuar në detyrë.


Vendimi për Alicanaj është marrë këtë të mërkurë, nga trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me Lulzim Hamitaj relator, ndërsa Genta Tafa ka qenë anëtare. Ky vendim do t`i njoftohet më Komisionerëve Publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtar, brenda 30 ditësh.

Maela Alicanaj është hetuar për tre kritere duke u konsideruar e “përshtatshme”. Ajo më herët ka punuar si avokate e Shtetit në zyrën vendore të Vlorës.


Më pas Alicanaj është emëruar këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ndërsa pas kalimit të Vettingut ajo është emëruar gjyqtare, duke qenë se është duke ndjekur gjithashtu magjistraturën.

Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.


KLGJ shmang Metën për emërimet në Gjykatën e Lartë, propozon formulë të re?

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin për të vendosur gjyqtarë për çështje të caktuara në Gjykatën e Lartë, duke e nxjerr përkohësisht nga ngërçi këtë institucion. Gjatë mbledhjes së mbajtur nga KLGJ, anëtarët e këtij organi, kanë zgjedhur mes tre alternativave: skemën e delegimit të gjyqtarëve, aplikimin e transferimit të përkohshëm dhe aplikimin e caktimit të gjyqtarëve për çështje të caktuara.


Në fund, anëtarët e KLGJ-së kanë vendosur në mënyrë unanimie për të zbatuar pikën tre të propozimit atë të aplikimit për caktimin e gjyqtarëve në një çështje të caktuar. Kushti për gjyqtarët që do të emërohen në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara, do të jetë fakti që kandidatët të kenë kaluar më parë Vettingun. Disa nga çështjet kryesore që gjykohen nga Gjykata e Lartë, janë: kërkesat për ekstradime, të cilat në rast të tejkalimit të afateve sjellin shfuqizimin e masës “arrest me burg”.

Ankimime të veçanta të gjykatave civile, gjykatave administrative, kërkesa për mosekzekutim të formës së prerë, ankime që shkojnë në Gjykatën e Strasburgut e shumë detyra të tjera ligjore. Ngërçi në Gjykatën e Lartë ka shkaktuar shumë probleme në sistemin gjyqësor. Në bazë të Kushtetutës anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti me propozim të KLGJ.


Por deri tani KLGJ ende nuk i ka çuar listën me kandidatë presidentit dhe ky i fundit thotë se edhe pas kërkesës së tij për informacion të hollësishëm (kërkesë e bërë disa ditë më parë lexo këtu) për etapat në të cilat ndodhet procesi, KLGJ nuk i ka dërguar një informacion shterues.

Në fakt, pas vendimit të së martës, duket se do të ketë një paralasje tjetër mes Presidentit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi duket se gjyqtarët që do të caktohen për çështje dhe dosje të caktuara, do të marrin miratimin direkt të KLGJ-së pa kaluar më parë në miratimin e presidentit.