Gjykata e Lartë, drejt krijimit, 8 veta në garë

POLITIKË


Gjykata e Lartë, një nga institucionet kyçe të drejtësisë që prej kohësh është në ngërç, duket se shumë shpejt do të jetë afër krijimit dhe funksionimit të saj. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor u bë edhe verifikimi i 22 kandidaturave që kishin aplikuar për të plotësuar 3 vendet vakante nga radhën e jo-gjyqtarëve. Nga këto 22 kandidatura KLGJ vendosi që 13 kandidatë të skualifikohen pasi nuk plotësonin dot kriteret formale si diplomimi, mos mbajtja e poste politike në 10 vitet e fundit, të kenë një eksperiencë juristi të paktën me 15 vjet etj., ndërsa një prej tyre ka dhënë dorëheqjen.

Kjo ka bërë që në garë të mbeten 8 kandidatë të tjerë, mes të cilëve do të përzgjidhen 4 emrat që do të plotësojnë 3 vendet vakante në radhët e jo-gjyqtarëve. Pas përgatitjes së listës më 4 emrat e kandidatëve ato do i çohen presidentit Meta për dekretim. Sipas ligjit, Gjykata e Lartë duhet të jetë funksionale me 19 anëtarë, ku 16 prej tyre janë gjyqtarë karriere ndërsa 3 vijnë nga shoqëria civile, avokatia dhe jurist me mbi 15 vite punë. Plotësimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka nisur me aplikimin për 3 vendet vakante që vijnë nga radha e jo-gjyqësorit.


8 kandidatët e kualifikuar për vendet vakante të Gjykatës së Lartë janë: Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Theodhori Sollaku, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda, Ardita Alsula

Ndërsa 13 kandidatët e skualifikuar nga gara janë: Segjio Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sulaj, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Vjosa Bodo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj, Altin Bindaj dhe ka dhënë dorëheqjen e saj nga gara, Irena Nino.

Mes emrave të njohur që vijojnë garën janë ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, por edhe Sokol Sadushaj, drejtori i Shkollës së Magjistraturës.

Gjykata e Lartë aktualisht ka vetëm një anëtarë Ardian Dvoranin, kuorum i papërfillshëm për të marrë vendime, pasi anëtarët e tjerë nuk arritën dot të kalonin procesin e vettingut. I fundit që u shkarkuar nga vettingu në Gjykatën e Lartë ishte Xhezair Zaganjori, i cili nuk e kaloi dot fazën e dytë të vettingut.

Ngritja e Gjykatës së Lartë është jetike për drejtësinë dhe kjo është theksuar disa herë edhe nga ndërkombëtarët, që ky institucion të nis punën e tij sa më parë, ndërsa kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale në shtator.

Më herët Naureda Llagami vendosi të krijojë një trup gjyqësore të përkohshme për të shqyrtuar disa nga çështjet e nxehta që lidheshin me ekstradimet. Nëse këto çështje nuk shqyrtoheshin në kohë,  të arrestuarit mund të liheshin të lirë për përfundim afati të hetimeve ndaj tij. Për të shmangur këtë situatë u caktua një trup gjyqësore me dy anëtarë të përkohshëm që së bashku me Ardian Dvoranin shqyrtuan këto dosje. Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor, anashkaloi presidentin Meta, në lidhje me emërimet në Gjykatën e Lartë, i cili është institucioni që bën propozimet për emërimet e gjyqtarëve në këtë gjykatë. /RealStory




Skip to toolbar