Sot, 38 vjet nga katastrofa në Çernobil, Zelensky paralajmëron aksident bërthamor në Zaporizhia

BOTA


Ukraina shënon sot  38-vjetorin e katastrofës bërthamore, teksa i kërkon botës që të mos përkulet para “shantazhit” rus mbi objektet bërthamore që ka kapur gjatë pushtimit të saj.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfrytëzoi  rastin për të përsëritur paralajmërimet për kërcënimin e mundshëm të një “katastrofe të re atomike”.


Zelensky paralajmëroi sot për rrezikun e një aksidenti bërthamor në  stacionin Zaporizhia , i cili është kapur nga forcat ruse.  Ushtria ruse mori kontrollin e këtij centrali bërthamor, i vendosur në jug të Ukrainës, pothuajse menjëherë pas pushtimit të vendit. Para se të kapej, stacioni Zaporizhia prodhonte 20% të energjisë elektrike të Ukrainës.

“Kanë kaluar 785 ditë që kur terroristët rusë morën peng termocentralin bërthamor të Zaporizhia,” tha Zelensky sot për aplikacionit  X.

Një shpërthim në uzinë në atë që atëherë ishte Ukraina Sovjetike dërgoi material radioaktiv në të gjithë Evropën në vitin 1986.

Rreth 30 punëtorë dhe zjarrfikës vdiqën menjëherë pas kësaj dhe shumë të tjerë vdiqën më vonë nga sëmundjet e lidhura me rrezatim. Ky aksident bërthamor, i konsideruar si më i keqi në histori, shkaktoi kontaminimin e zonave të gjera, kryesisht në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusi.

Në ditën e parë të pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, forcat ruse hynë në zonën e përjashtimit shumë radioaktiv rreth Çernobilit përmes Bjellorusisë dhe kapën centralin, i cili nuk është më funksional.

Ata qëndruan atje për një muaj përpara se të largoheshin dhe të grabitnin pajisjet, sipas Kievit.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhia vazhdoi të funksionojë në muajt e parë pas pushtimit rus, pavarësisht pushtimit të tij nga forcat ruse dhe granatimeve të zonës përreth. Ajo ndaloi së punuari në vjeshtën e vitit 2022.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrën për bombardimin e zonës përreth centralit bërthamor.




Skip to toolbar