Studentët amerikanë qëndrojnë të palëkundur për Gazën

BOTA


Thirrja “Palestina e lirë” bëri jehonë sërish në disa kampuse në kolegjet amerikane. Këtë herë studentët u mblodhën në Universitetin George Washington në zemër të kryeqytetit amerikan.

Studentë, profesorë dhe aktivistë nga e gjithë zona e Uashingtonit, DC, u mblodhën për të treguar solidaritet me palestinezët në mes të luftës në Gaza dhe për të kërkuar fundin e veprimeve ushtarake të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.


“Studentët, të bashkuar, nuk do të mposhten kurrë,” brohoritën ata, ndërsa flamujt palestinezë valëviteshin krahas shenjave që bënin thirrje për një armëpushim të përhershëm në Gaza. Nga ana tjetër dhjetëra studentë pro-izraelitë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos organizuan një protestë paqësore pranë kampit duke u shfaqur me flamuj izraelitë dhe duke përdorur një altoparlant teksa brohorisnin kundër protestuesve pro-palestinez “turp për ju”.

Ndërsa disa studentë hebrenj thonë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre në kampus, administratorët e kolegjeve po përballen me presion në rritje nga ligjvënësit për të frenuar protestat.

Në Boston, disa persona u arrestuan në Universitetin Emerson duke bërë që universiteti të anulojë mësimet. Gjatë protestës u plagosën katër policë. Në Konektikat, protestat po vazhdojnë në Universitetin Yale. Zyrtarët e shkollës në New Jersey kanë paralajmëruar ashpër nxënësit e shkollave të mesme atje që të mos marrin pjesë në protestat e planifikuara.

Ndërkaq dhjetra studentë në Paris jashtë Universitetit të Sorbonës i bënë thirrje qeverisë franceze të ndihmojë palestinezët, ku presidenti francez Emmanuel Macron po mbante një fjalim. Të rrethuar nga policia, protestuesit thanë se shpresojnë që këto protesta të kenë të njëjtin ndikim si studentët që demonstrojnë në SHBA.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të diskutuar mënyrat për të shmangur një përshkallëzim në krizën e Lindjes së Mesme.




Skip to toolbar