Stuhi shiu, dëme në Tiranë

AKTUALITET


Mbrëmja e të hënës u shoqërua me rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere duke shkaktuar disa incidente në qytetin e Tiranës.  Disa pemë, por edhe kabllo janë rrëzuar në akset kryesore të Tiranë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Fotot e pemëve të thyera apo kabllove të rënë në tokë në Tiranë, të siguruara nga RealStory, tregojnë “egërsinë” e stuhisë dhe shtrëngatave të shiut, ku nuk kanë munguar edhe rrufetë e shumta.


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se këto stuhi kanë përfshirë disa qytete të vendit, ku më të forta u paraqitën në Tiranë, Elbasan dhe Lezhë. “Në vetëm 10 minuta ka pasur 290 shkarkesa elektrike, ndërsa në Tiranë kanë rënë 9.6mm shi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me erë të vrullshme deri në 15-18 m/sek.” – thuhet në deklaratën e Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se disa pemë janë thyer në akset kryesore të kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve të minimizojnë lëvizjet, ndërsa ekipet e bashkisë po pastrojnë rrugët nga rënia e pemëve.




Skip to toolbar