Stuhia, “paralizohet” Japonia

Japonia është duke përjetuar një situatë të vështirë në lidhje me katastrofat natyrore. Vendi u godit të shtunën nga një tërmet i fortë me magnitudë 5.3  i shkallës Rihter duke u shoqëruar me lëkundje më të lehta më pas, ndërkohë që është përfshirë edhe nga stuhia më e fortë e 60 viteve të fundit.

Tajfuni “Hagibis”, e karakterizuar nga shira të rrëmbyeshëm, përmbytje, rrëshqitje dherash dhe era të fuqishme, kanë paralizuar pjesën më të madhe të shtetit, ndërsa situata pritet të përkeqësohet në orët në vazhdim. “Hagibis” ka paralizuar tërësisht Tokyon dhe një pjesë të mirë të Japonisë, ndërsa “vizitën” e fundit ky tajfun e kreu 60 vite para ku la të vdekur 1200 persona.

Transporti publik, trenat, metrotë e autobusët por edhe avionët janë të gjithë të paralizuar, ndërsa shumë banesa janë shkatërruar.

Autoritetet bënë thirrje për evakuim të rreth 7 milionë banorë, që ndodhen në zonat më të rrezikuara nga stuhia.

Stuhi shiu, dëme në Tiranë

Mbrëmja e të hënës u shoqërua me rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere duke shkaktuar disa incidente në qytetin e Tiranës.  Disa pemë, por edhe kabllo janë rrëzuar në akset kryesore të Tiranë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Fotot e pemëve të thyera apo kabllove të rënë në tokë në Tiranë, të siguruara nga RealStory, tregojnë “egërsinë” e stuhisë dhe shtrëngatave të shiut, ku nuk kanë munguar edhe rrufetë e shumta.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se këto stuhi kanë përfshirë disa qytete të vendit, ku më të forta u paraqitën në Tiranë, Elbasan dhe Lezhë. “Në vetëm 10 minuta ka pasur 290 shkarkesa elektrike, ndërsa në Tiranë kanë rënë 9.6mm shi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me erë të vrullshme deri në 15-18 m/sek.” – thuhet në deklaratën e Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se disa pemë janë thyer në akset kryesore të kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve të minimizojnë lëvizjet, ndërsa ekipet e bashkisë po pastrojnë rrugët nga rënia e pemëve.

Kapriçot e motit, stuhi në Elbasan, zjarr në Tropojë

Elbasani është goditur nga stuhi të forta ere dhe reshje shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash në qytet, duke sinjalizuar kështu e vera mbaroi dhe vjeshta erdhi zyrtarisht.

Disa prej rrugëve të qytetit janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa raportohet se ka pasur edhe rrëshqitje dherash në disa pjesë duke bllokuar rrugët.  Erërat e forta kanë shkaktuar shkuljen e disa pemëve, ndërsa disa dyqane dhe bodrume janë përmbytur.

Vransirat kanë qenë prezente edhe në jug të vendit, ku papasur edhe erëra e stuhi afat-shkurtër, sidomos në zonat bregdetare.

Shira të dendur, vjeshta vjen me stuhi në Elbasan on Vidnews.

Por krejt e kundër paraqitet situata në veri të Shqipërisë. Në qarkun Tropojës një zjarr masiv ka përfshirë pyjet mes Qafë Prushit dhe Qafë Morinës. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në pjesët që mundeshin, ndërsa gjendja paraqitet tepër kritike në Qafë Morinë, pasi ajo është një zonë e minuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreziku për shpërthimin e ndonjë mine në zonë, ka bërë që autoritetet të mos e marrin përsipër ndërhyrjen për shkak se mund të rrezikojë jetën punonjësve dhe banorëve. Në këtë rast po shikohet mundësia e ndërhyrjes nga ajri.

Çmendet moti, stuhi në gjithë vendin. Era shkul pemët

Moti është tërbuar keq mbrëmjen e së mërkurës duke sjellë dimër në mes të verës në shumë qytete të vendit nga Veriu në Jug. Stuhi, breshër dhe era e fortë kanë shkulur pemët dhe kanë shkaktuar dëme të shumta materiale. Ndërsa në zonat bregdetare pushuesit e trembur janë larguar nga plazhi.

Stuhia e fortë ka prekur qytetin e Sarandës. Për shkak të erës është ndërprerë energjia elektrike në disa zona, ndërsa janë shkatërruar pemët nëpër rrugë.

Në Velipojë ka pasur reshje të forta shiu duke shkaktuar përmbytjen e rrugëve dytësore, ndërkohë që era ka shkulur pemët, duke krijuar një situatë të rëndë tek banorët e zonës. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por deri tani janë shënuar vetëm dëme materiale.

Edhe në Shëngjin gjatë natës të mërkurën janë rrëzuar disa pemë,  ndërsa janë dëmtuar edhe disa makina, të cilat ishin parkuar pranë zonës ku kanë rënë pemët gjigande.

Moti i keq në qarkun e Gjirokastrës ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Një pemë është shkulur si pasojë e erës së stuhishme dhe shirave të rrëmbyeshëm pranë Doganës së Kakavijës duke sjellë edhe bllokimin e qarkullimit drejt Greqisë.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit, duke bërë të mundur hapjen e rrugës për automjetet.

Erë e fortë dhe breshër ka rënë në edhe në plazhin e Spillesë, në Lezhë dhe në zonën e Peqinit dhe Elbasanit duke shkaktuar dëme të shumta në bujqësi.

Në Vlorë raportohet se rruga e portit është përmbytur nga reshjet që ranë me intensitet të lart. Nga erërat e forta janë thyer edhe xhamat e disa banesave.

Disa qytete si Shkodra, Velipoja, Divjaka, Lezha etj. kanë  pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit nga thyerja e pemëve nga era e fortë.

Probleme ka pasur edhe në Berat, ku mjaftuan vetëm pak minuta reshje të dendura duke sjellë vërshimin e ujit dhe bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit. Për disa minuta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë, por është rikthyer.

Stuhia “Andrea” do të godasë Shkupin

Shi i rrëmbyer, erë e fortë dhe breshër, këtë pritet të sjellë stuhia “Andrea” që është parashikuar të godasë Shkupin. Autoritetet shtetërore atje kanë dhënë alarmin dhe i kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin masat për t’u mbrojtur.

Ndërkaq është mbledhur në një takim urgjent Qendra e menaxhimit të Krizave.

Në takim janë hedhur hapa për koordinimin e aktiviteteve dhe janë caktuar detyrimet mes ndërmarrjeve publike, brigadës së zjarrfikësve, shërbimeve inspektuese dhe komunat e tjera dhe institucionet shtetërore.

 “Apelojmë për lëvizje me kujdes afër rrjedhave të ujit dhe kanaleve të thata, në pjesët e skajshme perëndimore, jugperëndim dhe veriperëndim, ku ekziston mundësi për derdhje lokale dhe paraqitje e mundshme e rrëshqitjeve të dheut dhe erozionit, veçanërisht në aksin rrugor Mavrovë-Dibër-Strugë. Krahas këtyre rajoneve, vëmendje të veçantë mundësi të shfaqen derdhje lokale duhet t’iu kushtohet grykave rreth malit Kozhuv dhe zonës Gjevgjeli-Vallandovë”, bën apel qendra e krizave.

Skip to toolbar