“Sulm me molotov”, plagosen 5 efektivë të FNSH dhe 7 banorë tek Astiri

AKTUALITET


Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për përplasjet me banorët në zonën e Astirit, ku IKMT nisi aksionin për prishjen e 33 objekteve, që i hapin rrugë zbatimit të projektit të “Unazës së Re”. Sipas policisë, një grup banorësh kundërshtuan me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e policisë.

“Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak”, shkruhet në deklaratën e policisë.

Sipas policisë janë plagosur dhe 7 banorë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

“Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, policia e Tiranës nuk jep të dhëna nëse janë shoqëruar apo jo banorë të cilët  kanë përdorur dhunë kundër punonjësve të policisë apo atyre të IKMT. Megjithatë, Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.



Skip to toolbar