Duket se sulmet ndaj KZAZ-ve nuk i mjaftojnë LSI-së. Luan Rama kërkoi të mërkurën dorëheqjen e kryeministrit Rama ndërsa kërcënoi me rritje të tensioneve.
“Ajo çfarë duhet bërë në këtë moment është tërheqja e menjëhershme e qeverisë dhe e gjithë institucioneve që zbatojnë urdhrat e saj sepse revolta dhe zemërimi popullor do të jetë i pamëshirshëm.
Përgjimet e bëra të njohura përmes BILD vërtetojnë dhe njëherë atë që shqiptarët e kanë ditur. Pohojnë largpamësinë e opozitës e cila prej kohësh ka denoncuar me gisht se ku janë ata që kanë vjedhur zgjedhjet. Në këtë kontekst ajo çka duhet të bëjë kryeministri është, të paktën tani të dëshmojë se ka ndjenjë përgjegjësie, të japë dorëheqjen dhe të mos e çojë vendin në aventura të rrezikshme”, tha Luan Rama.
PD dhe LSI kanë vënë në zbatim skenarin për sulmin ndaj KZAZ-ve në mënyrë që të mos lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor dhe duke zbatuar në këtë mënyrë dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.