Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Japoni ku një burrë i armatosur me thikë ka sulmuar një grup nxënësish që ishin duke pritur autobusin e shkollës, duke plagosur 18 prej tyre, dy prej të cilëve ndërruan jetë.
BBC raporton se ngjarja ka ndodhur në qytetin e Kawasakit, në Japoninë jugore. Viktimat janë një vajzë 12-vjeçare dhe një burrë 39-vjeçar.
Ndërsa i dyshuar është një burrë rreth të 50-ave i cili raportohet të jetë vetëplagosur më pas me thikë në qafë, në tentativë për t’i dhënë fund jetës, e më pas është arrestuar nga policia. Por, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë duke shënuar viktimën e 3-të të sulmit.
Motivet e këtij sulmi mbeten të panjohura. Kjo ngjarje ka ndodhur në një kohë kur Japonia po vizitohet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit.